Temperaturat e larta, përfshihet nga zjarri nënstacioni i Ibës! OSSH stakon energjinë në disa zona si masë sigurie

25/07/2025 22:40

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradë celsius.

Regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve për shkak kushteve atmosferike ka dhënë efekt në rënien e zjarrit tek transformatori i fuqisë 110/10kv të nënstacionit Ibë, Tiranë. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrëfikëses dhe stafit të drejtorisë së Tensionit të Lartë të OSSH solli shuarjen e shpejtë të zjarrit, duke minimizuar dëmet, ndërsa nuk ka asnjë të dëmtuar nga ana e personelit.

Stakimi i nënstacionit Ibë, ndikoji në ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të zonave Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Në një pjesë të këtyre zonave energjia u rikthye brenda një kohë të shpejtë si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni Farkë.

OSSH ka shtuar grupet në objekt për të vepruar me ritme më të shpejta, për zgjidhjen e plotë të avarisë.

Ndërkohë, OSSH ka rritur masat e gatishnërisë në rang vendi për shkak të rritjes së temperaturave. Në disa zona prania e zjarreve ka detyruar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të stakojë energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie.

“OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë elektrike, të ndikuara nga faktorë natyrorë dhe shprehet se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave me rrjetin e shpërndarjes”, thekson në një komunikim për mediat OSHEE.

Top Channel