
Presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë të enjten në ceremoninë mortore të Irina Podnosovës, presidente e Gjykatës Supreme të Rusisë dhe mikesha e tij prej kohësh, e cila ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare pas një beteje me kancerin.
Putin u shfaq dukshëm i trishtuar gjatë ceremonisë në një spital të Moskës, ku ishte vendosur një arkivol i hapur për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Ai u përkul mbi arkivolin, bëri shenjën e kryqit, vendosi një buqetë me lule të kuqe dhe foli me anëtarët e familjes së të ndjerës.
Irina Podnosova dhe Vladimir Putin ishin shokë klase në Fakultetin e Drejtësisë në Leningrad (Shën Petersburgu i sotëm) gjatë viteve 1970. Ajo ishte një nga bashkëpunëtoret e afërta të asaj periudhe që më vonë u ngjit në poste të larta në institucionet shtetërore pas ardhjes në pushtet të Putinit.
Podnosova kishte pak më shumë se një vit në krye të Gjykatës Supreme të Federatës Ruse, përpara se të ndërronte jetë nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e saj përfaqëson një humbje të ndjeshme për presidentin rus dhe për rrethin e tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve që e kanë shoqëruar që prej fillimeve të karrierës.
Top Channel