
Një video që tregon disa të rinj teksa shkelin dhe kalojnë me makinë mbi flamurin shqiptar të hedhur në tokë, ka shkaktuar reagime dhe kritika të shumta në Kosovë.
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, të rinjtë duken duke e hedhur flamurin në tokë dhe më pas duke e përdhosur atë duke kaluar sipër me automjet.
Ajo që ka zemëruar qytetarët është mungesa e veprimit nga ana e Policisë, e cila, ndonëse i ndaloi autorët, i liroi menjëherë pas ndalimit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, deklaroi për mediat kosovare se ngjarja përfshin dy të mitur dhe ka ndodhur në fshatin Studençan të Suharekës.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuarnga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, tha ai.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Krenshik Spahiu, i cili shprehet se flamuri kuqezi “u përdhos pikërisht atje ku, vitet e fundit, është kultivuar dhe sponsorizuar më shumë urrejtja ndaj Shqipërisë: në Kosovë”.
Reagimi i Spahiut:
Ajo që pritej, ndodhi. Dje, flamuri kombëtar shqiptar u shkel me këmbë dhe u shtyp me makinë nga disa të rinj, të shoqëruar me sharje antishqiptare.
Nuk ndodhi në Serbi. Nuk ndodhi në Maqedoninë e Veriut. Nuk ndodhi në Greqi.
Dje, flamuri kuqezi u përdhos pikërisht atje ku, vitet e fundit, është kultivuar dhe sponsorizuar më shumë urrejtja ndaj Shqipërisë: në Kosovë.
Ndodhi atje ku po tentohet ndarja nga kombi shqiptar dhe po promovohen idetë e një “kombi kosovar”. Ndodhi atje ku, prej gjashtë muajsh, vendi është pa qeveri dhe pa Kuvend.
Ndodhi atje ku dyert për Qeverinë e Shqipërisë janë mbyllur. Ndodhi atje ku mosmirënjohja ka shkelur bukën e aleatëve që ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës.
Ndodhi atje ku vranë dhe spiunuan njëri-tjetrin, dhe ku çlirimtarët u dërguan në burgje. Ndodhi atje ku është shpallur luftë ndaj të gjitha partive shqiptare – në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi. Ndodhi atje ku qeveria e Kosovës e sheh opozitën shqiptare më armike se Beogradin.
Ndodhi atje ku është harruar nderi që i bënë Amerika dhe Europa. Ndodhi atje ku u harrua mikpritja e Shqipërisë në kohën kur Serbia dëboi e përdhunoi mijëra shqiptarë të Kosovës. Sot, Policia e Kosovës liroi autorët e këtij akti të turpshëm.
Ata harruan mijëra vjet luftë për flamurin kuqezi – luftë e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Harruan gjakun që është derdhur për flamurin dhe për Shqipërinë. Ata nuk janë fëmijë të mitur, por një rini e gjakprishur, e helmuar nga ata që kanë shtrembëruar dashurinë për atdheun dhe simbolet tona kombëtare.
Ata harruan nënën Shqipëri. Unë e prisja prej kohësh që të ndodhte poshtërimi i flamurit kuqezi, sepse Kosova është në duart e politikanëve të pashpirt. Grisja e flamurit ishte veç çështje kohe, nga ata që e kanë larguar Kosovën nga Shqipëria më shumë se kurrë në historinë e kombit tonë.
Top Channel