Arben Ahmetaj do të gjykohet në mungesë në procesin e themelit, për dosjen e njohur Buka.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, vendimi u dha nga gjyqtari paraprak Erjon Çela, që aprovoi kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj, i cili ka hetuar prej 2022 rolin e ish-ministrit të Financave që akuzohet se ka shpërdoruar detyrën mbasi me firmosjen e shkresave, i hapi rrugë privatizimit të kësaj shoqërisë përmes ankandit të aksioneve shtetërore.

Kalimi në gjyq i ish-funksionarit u shpall mbas një odiseje të gjatë të kthimit të çështjes mes SPAK dhe gjyqtarit paraprak, që vazhdimisht për Bukën i ka caktuar detyra Prokurorisë së Posaçme ndaj Arben Ahmetajt.

Ndërkohë, ish-funksionari prej verës së 2023 është në kërkim nga drejtësia si një i hetuar ndaj të cilit është dhënë arrest në burg në mungesë për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Në këtë çështje, Ahmetaj po hetohet për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash, që gjithsesi është një investigim penal që nuk ka përfunduar ende në gjykim paraprak.

Së fundmi për inceneratorin e Elbasanit, SPAK e shtyu afatin e hetimeve ndaj ish-zv/kryeministrit Ahmetaj edhe për tre muaj të tjerë, duke marrë kohë deri në 23 shtator për veprimet që po kryen, mes tyre ekzekutimi i letër-porosive të përcjella drejt Zvicrës.

Ahmetaj ka reaguar jo vetëm publikisht për hetimin e tij në inceneratorin e Elbasanit, por edhe përmes kërkesave në gjykata mes tyre edhe në gjykatën kushtetuese, tek e cila ka goditur sekuestrot preventive të pasurive

Top Channel