
Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Frashër të Fierit, ku vajza 26-vjeçare vrau me tel babanë e saj, 56 vjeç.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se pas disa orëve në komisariat, vajza e viktimës, Emanilda Rama është dorëzuar dhe ka treguar që ajo e ka lidhur me tel të atin, Anesti Rama, duke i marrë jetën.
26-vjeçarja ka qenë e fejuar dhe është ndarë nga partneri pasi ishte në gjendje të dobët ekonomike dhe jetonte me prindërit dhe punonte në bujqësi.
Pasi pranoi krimin, e reja deklaroi se i ati e trajtonte me shumë fanatizëm, duke mos e lejuar as të vishet në mënyrë bashkëkohore e as te argëtohet, një sjellje që i ushtronte shumë presion në përditshmërinë e saj,
E reja nuk ka pretenduar se është dhunuar nga babai.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.
Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Top Channel