UET synon rankimin botëror, universitetet jopublike shqiptare drejt kategorizimit në platformat Times Higher Education

24/07/2025 19:56

Futja në rankimet ndërkombëtare është objektivi i ri i universiteteve jopublike shqiptare.

Universiteti Europian i Tiranës ka hedhur hapat e parë drejt këtij procesi, përmes aplikimit në Times Higher Education, (https://www.timeshighereducation.com/world-university-rankings – referencë për ilustrimin e videos) një nga sistemet më prestigjioze sot në botë për matjen e performancës së universiteteve në rang global.

Ky proces vjen pas një kontributi të gjatë të UET në arsimin e lartë, akreditimit të tij ndërkombëtar, partneriteteve dhe kërkimeve ndërdisiplinare shkencore, që e bëjnë të krahasueshëm me homologët e tij kudo nëpër botë.

Universiteti Europian i Tiranës, tashmë me një përvojë gati dy dekada dhe me një akreditim institucional me vlerësim maksimal nga QAA, ka zgjedhur të përfshihet në një prej renditjeve më prestigjioze ndërkombëtare -Times Higher Education. Ky është një hap i natyrshëm në rrugën tonë drejt ndërkombëtarizimit, por edhe një angazhim konkret për të matur performancën tonë sipas standardeve globale”, shprehet rektorja Prof. Dr. Drita Kruja.

Univeristeti Europian i Tiranës ka aplikuar në fund të muajit mars 2025 në dy kategori rankuese të kësaj platforme, World University Rankings dhe Interdisciplinary Science Rankings.

Mendoj se të gjitha institucionet shqiptare të arsimit të lartë duhet të bëhen pjesë e këtij procesi, pasi vetëm përmes transparencës, krahasueshmërisë dhe garës së ndershme mund të rrisim cilësinë dhe të jemi më të hapur ndaj studentëve ndërkombëtarë”, thotë rektorja Prof. Dr. Drita Kruja.

I vetmi universitet jopublik shqiptar që raporton prej disa vitesh në Times Higher Education është Polis, për rankimin në tre kategori: World University Rankings, Interdisciplinary Science Rankings dhe Impact Rankings. Për dy të parat vijon të mbajë statusin e raportuesit, ndërsa në Impact Rankings 2025 u klasifikua në vend të 1500-të.

 

Top Channel