
Pas Pano Sokos, edhe kandidatja e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Rigerta Loku është larguar nga “Nisma Thurje”.
Në një prononcim për Top Channel, ajo u shpreh se arsyet janë debatet e fundit mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.
Sipas Lokut, të dyja palët mbajtën qëndrime të gabuara në këtë çështje.
“Arsyeja është shkaku i të gjitha ngjarjeve që kanë vijuar mes dy subjekteve kohët e fundit.
Nuk jam aspak dakord se si vijuan punët pas marrjes së mandatit. Qëndrimet kanë qënë të gabuara, kush më shumë e kush me pak, nga të dyja palët. Unë mund të mbaja qëndrim kundrejt Nismës, dhe atë bëra”, tha Loku.
Loku ka bërë edhe një reagim në rrjete sociale pas dorëheqjes.
“Burri lidhet për fjale jo për konopi”
Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që ndodhën në lidhje me mandatin e vetëm të ” Nisma Shqipëria Bëhet” shpreh indinjatën time dhe mosdakortësinë absolute se si rrodhën ngjarjet.
Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenja se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur.
Ka vite e vite, që nga këtu ku jam, rend, jo pas partisë por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze vend.
Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet.
Për një mandat të vetëm nuk janë dëmtuam vetëm dy parti, një kualicion, por është dëmtuar dhe minuar rruga e të gjitha forcave të reja politike edhe atyre që ndoshta do dilnin nesër.
Besoja dhe kemi sakrifikuar fort që c’do mandat, që ky mandat, të zbriste te lista e hapur. Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk ndodhi në menyrën më të keqe të mundshme.
Prandaj që sot unë nuk jam më e angazhuar politikisht me “Nismën Thurje” ama do vijoj të jem një elektron i lirë në të voglën time.
Patjetër që edhe në Këshill Bashkiak, do të kaloj zyrtarisht e pavarur, fundja e pavarur kam qënë gjithmonë.
As nuk dua tja di për patitë e individëve, mua më intereson Mirdita ime, Shqipëria ime”, ka shkruar ajo.
Top Channel