Nuk arkëtuan rreth 40 milionë lekë në arkat e Bashkisë Fier/ Pezullohen nga detyra tre zyrtarë, arrest shtëpie për ish nënkryetaren

24/07/2025 11:15

Një operacion i befasishëm i Prokurorisë së Fierit , në bashkëpunim me Policinë Vendore, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka vënë në pranga disa persona, mes të cilëve spikat emri i ish nënkryetares së bashkisë Fier, Adela Hysenaj.

Ish nënkryetarja e bashkisë Fier u la në arrest shtëpie së bashku me drejtorin në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor, Vasil Ceku.

Ndërsa u pezulluan nga detyra dy zyrtarë, Anisa Cjapi, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore dhe Martin Dodi sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier.

Pas disa muajsh hetime policia ekzekutoi masat e sigurisë:

“Arrest në shtëpi” për shtetasen Adela Hysenaj, 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas policisë, ata duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier, kundrejt përfitimit.

Top Channel