Lënduan 61-vjeçaren teksa lundronin me motoskaf pa leje drejtimi, procedohet pronari shqiptar dhe shtetasi gjerman në Durrës

24/07/2025 14:39
foto ilustruese

Një pushuese u dëmtua në plazhin e Durrësit nga një motoskaf që drejtohej nga një shtetas gjerman.

Ngjarja u regjistrua në plazhin e madh, në lagjen 13 të Durrësit. Një mjet lundrues Jet Ski, i drejtuar pa leje nga një 22-vjeçar gjerman, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përplasur aksidentalisht një grua 61-vjeçare, e cila po lahej në det. Burime policore bënë me dije se ajo ka pësuar dëmtime të lehta.

Jet Ski-ja ishte në pronësi të shtetasit A. T., 48 vjeç, banues në Durrës, ndërsa drejtuesi A. N., me banim në Gjermani, po e përdorte pa lejen përkatëse të drejtimit.

Policia e Stacionit Plazh ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal ndaj të dy shtetasve, për shkeljet ligjore të konstatuara.

Këtë sezon turistik, nuk kanë munguar in incidentet me motorët e ujit në plazhet e Durrësit.

Top Channel