
Një nga figurat më ikonike të sportit dhe showbiz-it amerikan, Hulk Hogan, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, sipas raportimeve nga TMZ Sports.
Ekipet e emergjencës janë thirrur në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku ai pësoi një arrest kardiak, të cilit nuk arriti t’i mbijetonte.
Me një karrierë që shtrihet për mbi katër dekada, Hulk Hogan (emri i vërtetë: Terry Gene Bollea) u bë një nga fytyrat më të dashura dhe të njohura të kulturës pop amerikane. Ai ishte një prej figurave kyçe që transformoi WWE-në (atëherë WWF) nga një produkt sportiv i thjeshtë në një fenomen global gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Hogan fitoi titullin WWE për herë të parë në vitin 1984, duke mposhtur The Iron Sheik dhe duke nisur një epokë të re – “Hulkamania”. Me karizëm unike, muskuj të fryrë dhe fjalë të thjeshta por të fuqishme si “Train, Say Your Prayers and Eat Your Vitamins”, ai u bë hero për miliona fëmijë dhe të rritur në mbarë botën.
Ka qenë kampion botëror 6 herë në WWE dhe 6 herë në WCW, përfshirë dhe momentin famëkeq ku u kthye në “heel” me krijimin e fraksionit legjendar nWo (New World Order) në WCW.
Në Shqipëri, gjatë viteve ’90 dhe fillim 2000, kur WWE transmetohej përmes kanaleve ndërkombëtare, Hulk Hogan ishte një prej personazheve më të pëlqyer dhe më të imituar. Bashkë me emra si The Undertaker, Stone Cold Steve Austin dhe The Rock, ai ishte pjesë e formimit kulturor të një brezi të tërë që u rrit mes emocioneve të WWE.
Shumë shqiptarë e mbajnë mend me nostalgji figurën e tij me bandanën e kuqe, mustaqet e bardha dhe hyrjet madhështore në ring nën tingujt e “Real American”.
Top Channel