
Pas zyrtarizimit të afrimit të mbrojtësit Pervis Estupiñan nga Brighton, që zë vendin e lënë bosh nga Theo Hernandez, AC Milan është gati të intensifikojë fushatën e saj në merkato me një tjetër goditje të rëndësishme: mesfushorin e Zvicrës dhe Club Brugge, Ardon Jashari.
Kuqezinjtë kanë çuar përpara largimin e disa emrave si Emerson Royal, Yacine Adli, Lorenzo Colombo, Ismaël Bennacer dhe Noah Okafor, duke krijuar hapësirë financiare dhe taktike për afrime të reja. Në krye të listës së dëshirave është 22-vjeçari Jashari, për të cilin Milani ka bërë një ofertë të rëndësishme: 32 milionë euro në pagesë fikse dhe 5 milionë të tjera në formë bonusesh.
Megjithatë, kjo ofertë u refuzua nga Club Brugge, që kërkon plot 40 milionë euro për kartonin e mesfushorit.
Sipas raportimeve më të fundit nga mediat italiane, drejtuesit kuqezinj Giorgio Furlani dhe Igli Tare janë të vendosur ta mbyllin marrëveshjen dhe po përgatisin një formulë të re: do të mbajnë totalin prej 37 milionë eurosh, por do të rrisin pagesën fikse në 35 milionë dhe do të reduktojnë bonuset në vetëm 2 milionë euro.
Dëshira e vetë Jasharit për t’u transferuar te Milani mbetet faktori kyç që po i jep optimizëm drejtuesve të klubit italian. Mesfushori me origjinë shqiptare ka refuzuar çdo ofertë tjetër, duke i dhënë përparësi vetëm kalimit në “San Siro”.
Ai ka lënë të kuptohet qartë këtë synim, duke stërvitur veçmas ekipit të tij aktual dhe duke munguar në debutimin sezonal të Club Brugge në Superkupë.
Negociatat vijojnë, por në Milano mbizotëron bindja se marrëveshja do të arrihet brenda pak ditësh. Me afrimin e Jasharit, kuqezinjtë synojnë të forcojnë ndjeshëm repartin e mesfushës dhe të kompletojnë një merkato verore ambicioze.
Top Channel