Banka Qendrore Evropiane frenon uljen e normave të interesit, tarifat amerikane dhe konkurrenca kineze rrezikojnë stabilitetin në BE

24/07/2025 17:06

Banka Qendrore Evropiane ka vendosur të mbajë të pandryshuara normat kryesore të interesit, ndërsa ekonomia e eurozonës po tregon shenja qëndrueshmërie dhe inflacioni mbetet i ulët.

Vendimi ishte i pritshëm dhe konsiderohet si një pauzë përpara se të ndërmerren ulje të mëtejshme gjatë pjesës së dytë të vitit.

Në përfundim të takimit të radhës në Frankfurt, Banka Qendrore Evropiane ruajti normën bazë të interesit në 2% dhe normën e depozitës në 2.15%.

Presidentja e institucionit, Christine Lagarde, deklaroi se eurozona ndodhet “në një pozicion të mirë” dhe se “kriza e kostos së jetesës i përket tashmë të kaluarës”. “Detyra jonë tani është të shohim drejt së ardhmes”, theksoi ajo.

Lagarde bëri të ditur se Banka Qendrore Evropiane do të mbetet vigjilente ndaj zhvillimeve të jashtme, përfshirë ndikimin e mundshëm nga tarifat që SHBA mund të vendosë ndaj eksporteve evropiane.

Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave deri në 30% për mallrat e importuara nga BE, pjesë e një lufte globale tregtare me pasoja potencialisht të mëdha për tregtinë dhe investimet.

Zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane janë gjithashtu të shqetësuar për një skenar ku rënia ekonomike kombinohet me rënie të çmimeve, nëse vendet aziatike — përfshirë Kinën — goditen nga tarifat amerikane dhe fillojnë të hedhin mallra të lira në tregun evropian. Shtimi i konkurrencës dhe forca e euros përballë valutave të tjera mund ta përkeqësojnë këtë presion, duke ulur edhe më tej inflacionin.

Megjithatë, me inflacionin aktual në 2% dhe projeksione që sugjerojnë stabilizim afatmesëm, Lagarde u shpreh se BQE është “në pozicion të mirë për të pritur dhe për të parë”. Ajo nënvizoi gjithashtu se rritja e pagave po zbutet dhe zhvillimi ekonomik mbetet pozitiv.

Nga ana tjetër, ekspertët e tregut, përfshirë Mathieu Savary nga BCA Research, paralajmërojnë se kjo pauzë mund të pasohet nga ulje më agresive të normave. “Disinflacioni është thellësisht i rrënjosur në eurozonë. Me euron më të fortë, tarifat amerikane në horizont dhe konkurrencën nga Kina, rajoni përballet me një kërcënim të ri: deflacionin”, tha ai.

Ai shtoi se këshilli drejtues i Bankës Qendrore Evropiane “mund të detyrohet të veprojë më shpejt dhe më thellë se sa e parashikon aktualisht tregu”.

Top Channel