
Pamje dhe fotografi të zbuluara rishtazi nga vitet 1990 hedhin dritë të re mbi marrëdhënien e hershme mes Donald Trump dhe Jeffrey Epstein, përfshirë pjesëmarrjen e këtij të fundit në dasmën e Trump në vitin 1993 dhe momente të tjera sociale të dokumentuara për herë të parë.
Këto materiale arkivore përfshijnë foto nga dasma e Trump me Marla Maples në Hotel Plaza në Nju Jork, ku Epstein shihet i pranishëm. Deri tani, pjesëmarrja e tij nuk ishte e njohur për publikun. Gjithashtu, video nga një sfilatë e Victoria’s Secret në vitin 1999 tregojnë Trump dhe Epstein duke biseduar dhe qeshur së bashku. (Klikoni për të parë videot).
Zbulimet vijnë në një moment kur administrata amerikane po përballet me presion të shtuar për publikimin e dosjeve të mbyllura në lidhje me Epstein, ndërkohë që vetë Trump ka reaguar duke i quajtur raportimet “lajme të rreme”.
Në një reagim të shkurtër për CNN, Trump u shpreh: “Duhet të jesh duke bërë shaka me mua”, përpara se të mbyllte telefonin. Ndërkohë, drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung, i cilësoi pamjet si “kapje jashtë kontekstit” dhe “ngjarje publike të padëmshme”.
Sipas Cheung, Trump kishte përjashtuar Epstein nga klubi i tij në Mar-a-Lago “sepse ishte i bezdisshëm” dhe e cilësoi raportimin si “pjesë të një fushate të organizuar nga demokratët dhe mediat liberale”.
Trump dhe Epstein njiheshin që në vitet 1980 dhe frekuentonin të njëjtat rrethe shoqërore në Palm Beach dhe New York. Pamje dhe foto të tjera të publikuara më parë i tregojnë ata në evente të ndryshme, përfshirë një festë në 1992 dhe një event të Harley Davidson në vitin 1993, ku Epstein shihet me Trump dhe fëmijët e tij të vegjël.
Në një intervistë për CNN, fotografi Dafydd Jones konfirmoi se kishte fotografuar Epstein duke hyrë në dasmën e Trump, ndërsa një tjetër foto nga arkivi LIFE e tregon Epsteinin në sfond, pranë figurave publike si Howard Stern dhe Robin Leach.
Foto nga vitet 1997 dhe 2000 dokumentojnë Trump dhe Epstein në evente të Victoria’s Secret, si dhe me Ghislaine Maxwell dhe Princin Andrew në Mar-a-Lago. Trump është cituar në vitin 2002 duke e përshkruar Epsteinin si “një djalë të mrekullueshëm” që “i pëlqejnë gratë e reja”.
Top Channel