
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte ngritën sot një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër influencueses amerikane, Candace Owens për promovimin dhe shfrytëzimin e gjerë në video të lajmit të rremë se Brigitte Macron “ka lindur burrë”.
Ky informacion i rremë, i cili u rishfaq shpesh në Francë në mediat sociale pas zgjedhjeve të para të Emmanuel Macron në vitin 2017, u qarkullua gjerësisht jashtë vendit, veçanërisht në SHBA, pasi blogerja e ekstremit të djathtë, Candace Owens e shfrytëzoi atë në mars 2024, duke i dhënë asaj jehonë globale që nga janari 2025 përmes një serie videosh të titulluara “Duke u bërë Brigitte”.
Çifti presidencial ngriti sot një padi për shpifje në një gjykatë të Delaware, duke kërkuar një shumë “shembullore” dëmshpërblimi, që do të përcaktohet gjatë gjyqit.
Avokatët e tyre argumentojnë në padi se Candace Owens ishte plotësisht në dijeni të falsitetit të këtyre akuzave dhe sistematikisht hodhi poshtë çdo kërkesë për korrigjim, duke këmbëngulur në “fushatën shpifëse” me qëllim “të fitojë famë dhe të fitojë para”, duke theksuar se ajo aktualisht ka 6.9 milionë ndjekës në llogarinë e saj X dhe 4.7 milionë në YouTube.
Sipas këtij lajmi të rremë, i cili është përhapur gjerësisht në Francë nga teoricienët e konspiracionit, skeptikët e Covid dhe madje edhe qarqet e ekstremit të djathtë, Brigitte Macron, e lindur Tronier, nuk ka ekzistuar kurrë, por vëllai i saj Jean-Michel e mori këtë identitet pasi ndryshoi gjininë.
Dy gra, Natasha Ray dhe Amadine Roy, të cilat e kishin qarkulluar gjerësisht këtë lajm të rremë, u dënuan në shtator nga gjykatat franceze për të paguar mijëra euro kompensim për Brigitte Macron dhe 5,000 për Jean-Michel Tronier, por u liruan nga akuzat në një gjykatë të shkallës së dytë më 10 korrik të këtij viti.
Top Channel