
Përmbarues, administratorë dhe institucione financiare konsiderohen nga SPAK si grupi kriminal që jo vetëm mashtroi me pasoja të rënda mijëra shtetas, por edhe i kërcënoi ndër vite duke pretenduar se po mbyllnin kreditë e këqija që në realitet nuk zeroheshin, përkundrazi shumëfishoheshin.
Ky aktivitet kriminal i kryer nga 16 shtetas nën akuzë zyrtarisht për dosjen e Mikrokredive dhe shoqëritë MCA, ADCA, Final dhe TDR Grup është zhvilluar përgjatë nëntë viteve.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme që mbylli hetimet dhe dorëzoi dosjen në gjykatë, qëllimi i grupit kriminal ishte të shumëfishonte në mënyrë të paligjshme detyrimet e qytetarëve përtej urdhërit të ekzekutimit, që për shkak të aplikimit të kamatave kishte shkuar deri në dy për qind në ditë.
Zyra e shtypit e SPAK rendit provat që ka gjurmuar gati një vit, pasi çështjes iu bashkëngjit edhe një denoncim i Ministrisë së Drejtësisë. Mes tyre janë të dhëna që provojnë se të akuzuarit ushtronin aktivitetin në të njëjtin vend dhe se shfrytëzonin shtetas me probleme financiare për t’i mbajtur në grackë.
Për vjeljen e kamatave, SPAK deklaron se është përdorur dhuna përmes shtrëngimit, si edhe përdorimi i të dhënave të personave familjarë të debitorëve.
Punonjësit e shoqërive nën akuzë rezulton nga hetimi se janë urdhëruar nga organizatorët e skemës për të kryer qindra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese ndaj debitorëve. Ndërsa bllokonin llogaritë bankare dhe pasuri që dolën në ankande fiktive dhe që iu morën shtetasve edhe për kredi minimale.
SPAK deklaron se përveç dëmit ekonomik, veprimtaria e grupit kriminal ka shkaktuar pasoja shumë të rënda sociale. Si pasuri të sekuestruara llogaritet një portofol prej 420 milionë lekësh dhe 1.3 milionë euro të gjetura si llogari personale, depozita, bono thesari dhe letra me vlerë të të pandehurve.
Top Channel