Hetimet për Erion Veliajn/ Zgjerohet lista, SPAK merr të pandehur Klotilda Bushkën dhe disa persona të tjerë

23/07/2025 18:03

Nuk ishin prokurorët e SPAK, por agjentët e BKH të deleguar prej tyre që vizituan në qeli Erjon Veliajn dhe i komunikuan katër akuzat.

Veprat për të cilat Veliaj do gjykohet janë korrupsion në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e telefonit në burg.

Episodi i fundit ju ngarkua mbasi ka dyshime që ai përdori telefonin gjatë kohës që po shoqërohej në gjykatë e për këtë shkelje  është vënë nën akuzë edhe efektivi i policisë, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut Veliaj, SPAK merr të pandehur dhe i komunikon akuzën edhe deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Kjo e fundit akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.

Në total, SPAK ka marrë të pandehur 30 persona dhe shoqëri fizike. Përveç Veliajt e Bushkës, janë marrë të pandehur edhe Ina Goxhaj, Flutur Xhani, Valmir Xoxa, Erald Simixhiu, (daja i Ajola Xoxës), Elman Abule, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, Fation Baci (efektiv policie) dhe Frosina Bollo.

Në dosje nuk mungon edhe bashkëshortja e Erjon Veliajt, Ajola Xoxa, e cila si përherë hyri dhe doli nga SPAK në heshtje.

Ndërkohë që listës veç efektivit që ndihmoi me telefon kryebashkiakun, i është shtuar edhe biznesmeni Mirton Lika që dyshohet për fshehje pasurie.

Dosja do të dorëzohet në gjykatë në 24 shtator, dhe e gjithë kjo kohë do të jetë në dispozicion të Veliajt dhe të të akuzuarve të tjerë për të depozituar prapësimet dhe parashtrimet e tyre.

Top Channel