Ambulanca të reja për burgjet, AAPSK në mbështetje të forcimit të kapaciteteve të strukturave ligjzbatuese

23/07/2025 09:44

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka mbështetur Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të përmirësuar më tej infrastrukturën dhe mjetet në dispozicion, përmes autoambulancave të reja të kategorisë A.

15 mjetet e reja, të gjitha prodhim i vitit 2025, të dedikuara për transportin e të dënuarve apo të paraburgosurve që përballen me probleme shëndetësore, janë pjesë e një projekti për modernizimin e flotës mjekësore në sistemin penitenciar shqiptar.

Projekti është financuar nga fondi i posaçëm në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), me vendimin e marrë nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar. Nëpërmjet këtij vendimi u mundësua financimi i furnizimit të DPP me 8 ambulanca të kategorisë A, si pjesë e angazhimit për të vendosur pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi në funksion të strukturave ligjzbatuese dhe në shërbim të komunitetit.

Mjetet do të shpërndahen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend, duke forcuar kapacitetet logjistike dhe përkujdesjen shëndetësore për të dënuarit dhe të paraburgosurit.

AAPSK vijon të luajë një rol kyç në përdorimin me efektivitet të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke i shndërruar ato në mekanizma për forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve publike, si dhe gjenerimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit. Kjo është një ndër mënyrat më efikase për të rritur ndikimin e drejtësisë në shoqëri dhe për të siguruar që pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale të shndërrohen në burime të vlefshme për interesin publik.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel