“UBT ka kaluar dy faza, atë të burimit të dijes dhe rrënimit”, Rama: Kur hyje në klasa duhet të kaloje një pazar aktivitetesh tregtare

22/07/2025 11:09

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku pjesëmarrës ishin akademikë, por edhe studentë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se UBT ka kaluar dy faza, atë kur ishte burim i dijes, dhe tjetra që përkon me rrënimin dhe braktisjen.

Ndër të tjera kryesocialisti tha se për të hyrë në klasa duhet të kaloje një Pazar aktivitetesh tregtare.

Universiteti Bujqësor për hir të së vërtetës ka kaluar dy faza në historinë e vet.

Ka pasur një fazë në historinë e tij kur Universiteti Bujqësor ishte një qendër ekselence reale, në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe kjo ishte koha përpara përmbysjes së regjimit, kur Universiteti Bujqësor ishte njëkohësisht dhe burimi më i rëndësishëm i dijes për atë zhvillim dhe për ato nevoja të bujqësisë dhe të fshatit që kishte atëherë vendi. Ama pedagogët e UB ishin akademikë dhe ishin dijetarë të jashtëzakonshëm, e pamohueshme.

Pastaj UB pati një fazë tjetre që ishte faza e rrënimit, e braktisjes dhe praktikisht e degjenerimit publik të tij, ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara, asgjë tjetër nuk mbeti aty. Dhe rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte një zë profetik nga mali, por në fakt ajo telefonatë ishte vetëm pasi së bashku me rektorin ne bëmë një ndërhyrje të rënde dhe të turpshme për nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin e universitetit për historitë e tyre që nga qoftet deri tek shitja e të brendshmeve.

Dhe ishte dramatike të hyje në atë universitet ku për të hyrë në klasë duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare. Natyrisht që edhe për faktin që shumëkush mendoi se koha e fshatit mbaroi dhe erdhi koha e qytetit, koha e tokës mbaroi dhe erdhi koha e tavolinës së klubit, koha e prodhimit të ushqimit mbaroi dhe erdhi koha e sanduiçëve me salsiçe frigoriferi, natyrisht mbaroi dhe koha e autokombajnave dhe erdhi koha e Mercedez-ve të vjedhur dhe të gjithë i kthyen kurrizit UB, i cili u bë praktikisht një “Refugium Peccatorum” për ata nxënës dhe nxënëse që nuk kishin miq për të kapërcyer të gjithë ato shkallët e korrupsionit përmes të cilave hyje në universitete, universitetet prestigjioze ku të gjithë hynin për tu bërë juristë, kështu ne krijuam dhe popullatën me numrin më të madh të juristeve për metër katror.

Në ndërkohë që së bashku me rektorin, ne ishim faktikisht në një gjatësi vale, gjë jo shumë e zakonshme për një socialist dhe një demokrat, por mbase na ndihmonte të komunikonim valën duke qenë se të dy jemi pa flokë dhe mungesa e flokëve na e bënte më të lehtë kapërcimin e kufirit partiak, kështu që e filluam këtë aventurë kur rektori në dëshpërim tha “tani ne nuk kemi si e mbajmë këtë universitet nëse nuk e ulim dhe më poshtë atë mesatare”. Domethënë nga 6 ta çojmë 5, domethënë nga gjysmë të vdekur, t’i marrim të vdekur. Edhe unë i thashë kjo është faktikisht një mbijetesë për të gënjyer veten se kjo do çojë në rrënim përfundimtar ndërkohë që ne duhet të synojmë diçka krejt tjetër, duhet të synojmë ta bëjmë Universitetin Bujqësor trend dhe ta kthejmë në universitet ku vajzat dhe djemtë e këtij vendi të shikojnë të ardhmen dhe për këtë na duhet të lidhemi me një universitet europian.

Dhe kështu shkuam në shkallët e BOKU-t i cili është një universitet i themeluar në vitin 1872 dhe parafolësi im nuk ishte një konsult i huaj që ka ardhur këtu me lekët e Bankës Botërore për të na treguar nga lidhet gomari por është ish rektori i universitetit BOKU që kur ne e takuam ishte në detyrë. Unë isha i pari kryeministër që hipja shkallët e atij universiteti që nga 1872 dhe sigurisht rektori ishte dhe pak i trembur se s’kishte faj se çfarë nuk kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe po i vinte personalisht shefi i madh i mafias shqiptare ne derë.

Aty filluam diskutimin e parë. Rektori, njeri civil i mirë sjellshëm dhe natyrisht s’mund të mos na priste por nga ana tjetër unë e ndjeja që na shikonte me një çudi të përzier me frikë. Megjithatë ja ku jemi sot!
Për të mos e zgjatur falë këtij burri që rasti e solli që dhe të tërhiqej nga aktiviteti akademik pikërisht në këtë periudhë dhe të na bashkohej me shumë bujari, me shumë dashamirësi në këtë përpjekje tonën dhe kështu kemi jo një konsulent por kemi një bashkudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë dhe falë Bardhit, Sallakut domethënë se mos ngatërrohemi se këta Bardhët e djathtë janë lloj – lloj por ky është Bardh i ndriçuar, ne arritëm që të kemi një reformë e cila ka bërë diçka radikale.

Faktikisht ka spostuar të gjithë procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të departamenteve dhe atyre që gjithmonë e kanë kontrolluar këtë proces për të mirë apo për të keq apo për të dyja bashkë, në duart e një komisioni të brendshëm dhe të vet studentëve dhe ajo që është arritur është diçka që mua personalisht më bind që në 2030 UBT dhe BOKU do të jenë një dhe UBT do të jetë antena e BOKU-t në rajonin tonë.

Gjëja që duhet ta kenë parasysh të gjithë është që për juristë nuk ka nevojë Shqipëria, që të jemi shumë realistë bashkë. Ka plot dhe i teprojnë. Mund t’i japë edhe Ballkanit, madje mund t’i eksportojë në kontinentet e tjera, por Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka nevojë në radhë të parë për ata që përgatit Universiteti Bujqësor i Tiranës sepse Shqipëria njësoj si Europa, njësoj si gjithë bota përballet me ndryshime klimaterike, me degradimin e mjedisit, me rritjen e temperaturave, me motin ekstrem, me humbjen e ekosistemeve që ndikojnë drejtpërdrejt bujqësinë, ndikojnë drejtpërdrejt furnizimin me ujë, ndikojnë drejtpërdrejt biodiversitetin dhe këto janë ato që janë të pandashme nga jeta jonë mbi këtë planet dhe janë të pandashme nga rrugëtimi dhe nga qenia jonë në Bashkimin Europian. Aftësitë për të ndërtuar një bujqësi të qëndrueshme ndaj klimës, për ta shfrytëzuar tokën në mënyrë të qëndrueshme, për të adresuar plagët e mjedisit me dije dhe në funksion të jo varfërimit, por të mirëqenies së njerëzve, janë aftësi të cilat Shqipërisë sot i mungojnë. Ndërkohë që, për këto aftësi, Shqipëria ka shumë nevojë sot, por do të ketë nevojë shumë më tepër në vitet që vijnë.“, u shpreh Rama.

Top Channel