SHBA del sërish nga UNESCO, Trump: Organizatë e përçarë dhe jashtë realitetit amerikan

22/07/2025 16:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë vendin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka bërë të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.

Ky hap është pjesë e një qëndrimi më të gjerë të administratës Trump për të shkëputur SHBA-në nga institucionet ndërkombëtare dhe për t’u fokusuar në politika të brendshme, siç është edhe eliminimi i programeve për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje (DEI).

“Presidenti Trump ka vendosur të tërhiqet nga UNESCO – një organizatë që mbështet kauza kulturore dhe sociale ‘woke’, të përçara dhe të shkëputura nga politikat e shëndosha për të cilat amerikanët votuan në nëntor,” u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Sipas Departamentit të Shtetit, tërheqja e SHBA-së do të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2026, duke theksuar se vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë organizatë “nuk është në interesin kombëtar”.

UNESCO është njohur globalisht për promovimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë dhe komunikim për të nxitur paqen në mbarë botën. Një nga aspektet më të njohura të punës së saj janë shpalljet e Siterve të Trashëgimisë Botërore, ku përfshihet edhe Grand Canyon në SHBA.

SHBA ka pasur një histori të luhatshme me UNESCO-n. U tërhoq për herë të parë në vitin 1984 gjatë administratës Reagan, për arsye financiare dhe akuzash për njëanshmëri anti-amerikane. U rikthye në 2003 nën administratën Bush, por u largua sërish gjatë mandatit të parë të Trump në vitin 2017, për t’u rikthyer më vonë me Presidentin Biden.

Pas rikthimit në detyrë, Trump urdhëroi një rishikim të anëtarësimit të SHBA-së në organizatë, përfshirë një analizë të ndjeshmërisë anti-semite dhe anti-izraelite. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, shtoi se prania e UNESCO-s në agjendat globale, si qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së, është në kundërshtim me politikën “America First”.

Bruce theksoi gjithashtu se pranimi i “Shtetit të Palestinës” si anëtar me të drejta të plota në UNESCO është një tjetër arsye që kontribuoi në këtë vendim, duke e cilësuar si një lëvizje që përhap retorikë anti-izraelite.

Kjo është hera e tretë që SHBA largohet nga UNESCO në historinë e saj.

Top Channel