Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, bombardohet stacioni i metrosë në Kiev ku po strehoheshin qindra qytetarë

21/07/2025 16:03

Një tjetër natë e frikshme ka goditur Ukrainën, ku Rusia lëshoi një valë dronësh dhe raketash mbi disa qytete, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Të paktën një person humbi jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi të natës në kryeqytetin Kiev, ku u godit edhe stacioni i metrosë Lukianivska, ku qindra qytetarë ishin strehuar.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë tym të dendur dhe pluhur që mbushin platformën e metrosë, ndërsa njerëzit qëndronin të tmerruar.

Sipas autoriteteve, dëme u shënuan edhe në dyqane, biznese dhe një kopsht fëmijësh. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ekipet e emergjencës po punonin në katër lagje të qytetit.

Sulmi zgjati përreth tre orë, nga ora 2 e mëngjesit deri rreth orës 5. Banorët e Kievit e përshkruan natën si një “ferr mbi tokë”, duke theksuar se stacioni i Lukianivskës është bombarduar të paktën pesë herë që nga fillimi i luftës.

Edhe qyteti perëndimor Ivano-Frankivsk, shumë larg vijës së frontit, u godit rëndë. Kryetari i bashkisë, Ruslan Martsinkiv, e cilësoi këtë si sulmin më të madh që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022. Raportime për shpërthime pati edhe në qytetin Kharkiv.

Sulmet ndodhën disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se kishte propozuar një raund të ri bisedimesh paqeje me Moskën. Deri më tani, dy raunde bisedimesh në Stamboll nuk kanë sjellë rezultate konkrete për një armëpushim.

Ndërkohë, Kremlini ka lënë të kuptohet se është i gatshëm për negociata të mëtejshme, sidomos pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili i ka dhënë Rusisë 50 ditë afat për të arritur një marrëveshje paqeje. Megjithatë, kërkesat maksimale të Vladimir Putin mbeten të pandryshuara – përfshirë pushtimin e mëtejshëm të territorit ukrainas dhe largimin e qeverisë së Zelenskyyt.

Bashkimi Europian, në reagim ndaj zhvillimeve, ka miratuar paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila godet sektorin bankar dhe ul çmimin tavan për eksportet ruse të naftës – përpjekje për të frenuar financimin e luftës nga ana e Moskës.

Top Channel