Shkolla profesionale në Elbasan futet në modë, tashmë edhe në preferencën e vajzave! Bashkëpunimi me bizneset garanton treg pune

21/07/2025 12:20

Teksa regjistrimet kanë filluar, një tjetër fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e arsimit profesional ka marrë formë.

Kjo ka ndikuar që shumë të rinj të vendosin në zgjedhjen e një profesioni që në moshë të hershme.

Shkolla profesionale në Elbasan çdo vit nxjerr qindra profesionistë në drejtime drejtimet Shërbime Mjetesh transporti, TIK, Hoteleri Turizëm, Mekanik i Përgjithshëm, Ekonomi Biznes, Termo Hidraulik, Elektronikë, Tekstil Konfeksione, ndërtim etj.

Drejtori i Shkollës Profesionale Elbasan, Leonidha Haxhinikolla thotë: “Këtë vit kemi filluar një fushatë shumë të mirë regjistrimesh, krahasim me një vit më parë. Kemi një numër të konsiderueshëm dhe mendoj që do të ecim me këtë ritëm sepse shoh që fëmijë e prindër po i kthejnë sytë nga arsimi profesional”.

Tashmë nuk është tabu, shumë vajza po zgjedhin arsimin professional. Ndërkohë bashkëpunimi me bizneset ndikon që të rinjtë të gjejnë treg të menjëhershëm pune. Shkolla profesionale e Elbasanit ka një bashkëpunim të gjerë me rreth 216 biznese.

“Interesi është në rritje dhe nga bizneset. Kjo është dhe thirrja që u bëj prindërve që të regjistrojnë fëmijët në arsim profesional se, përveç se I japin një të ardhme të sigurt edhe tregun e punës e kanë të sigurt”, shton drejtori.

Sipas statistikave që shkolla profesionale e Elbasanit disponon, 63 % e nxënësve që aktualisht kanë mbaruar këtë shkollë janë punësuar.

Po ashtu, prej dy vitesh në disa degë po aplikohet sistemi dual sipas të cilit nxënësit 3 ditë punojnë e praktikohen në biznese dhe dy ditë janë në shkollë.

Top Channel