Publikimi i fotove të qenushëve në rrjete sociale i kushtoi 50 mijë dollarë, historia e çuditshme e australianes

21/07/2025 07:46

Një pronare e një biznesi të vogël australian thotë se humbi rreth 50,000 dollarë pasi Instagram i pezulloi llogaritë për shkak të asaj që ajo e përshkruan si një foto “të pafajshme” me tre qenushë. Rochelle Marinato, e cila drejton edhe “Pilates World Australia”, mori së fundmi një email nga kompania mëmë e Instagram-it, Meta, ku i njoftohej se llogaritë e saj ishin pezulluar sepse imazhi shkelte rregullat e komunitetit për ‘shfrytëzim seksual të fëmijëve, abuzim dhe lakuriqësi’.

Fotoja ishte raportuar gabimisht nga një sistem i inteligjencës artificiale, i cili e ngatërroi imazhin e qenve me atë të fëmijëve. Ajo bëri ankesë dhe dërgoi 22 email-e drejt Meta-s, por nuk mori asnjë ndihmë nga gjiganti global i teknologjisë, i cili zotëron Instagram-in, Facebook-un, Threads, Messenger-in dhe WhatsApp-in.

Marinato u shpreh për Daily Mail Australia se pezullimi pati një ndikim të madh financiar në biznesin e saj.

Kur ndodhi për herë të parë, mendova se ishte thjesht një gabim qesharak dhe se do ta rregullonim brenda një ore. Ishim në mes të shitjeve të fundvitit financiar për biznesin, kështu që ishte një moment vërtet i tmerrshëm.

Bëra ankesë dhe shumë shpejt mora njoftim nga Meta që llogaritë e mia ishin çaktivizuar përfundimisht, pa asnjë mundësi tjetër veprimi.

E mbetur pa asnjë mundësi zgjidhjeje, Marinato thotë se u detyrua të zgjidhte një rrugë të pazakontë dhe të paguante një palë të tretë për të rikthyer llogaritë.

Kalova tre javë duke hulumtuar si ta merrja përsëri llogarinë. Gjatë asaj kohe të ardhurat tona ranë me 75%. Për një biznes të vogël si ne, rrjetet sociale janë jetike.

Gjithçka u ndal kur llogaritë tona u pezulluan. Me humbjen e llogarisë, humba edhe të gjitha reklamat e mia në Instagram. Kjo pati një ndikim shumë të madh në biznes, sepse ne mbështetemi kaq shumë tek rrjetet sociale.

Ajo pohon se zhdukja e menjëhershme nga platforma i kushtoi drejtpërdrejt edhe financiarisht.

Bëra një krahasim të thjeshtë me vitin e kaluar, vetëm për t’u siguruar për shifrat, dhe më kushtoi rreth 50,000 dollarë.

Por përveç humbjes financiare, Marinato tha se u trondit edhe nga aludimi i bërë në njoftimin e pezullimit.

Është një akuzë e tmerrshme dhe e neveritshme që të hidhet mbi ty dhe të të lidhin me diçka të tillë. Njerëzit mund të mendojnë se kemi bërë diçka të keqe për të humbur llogarinë. Është e frikshme që AI ka këtë pushtet dhe gjithashtu që e gabon kaq shumë.

Pavarësisht se humbi 50,000 dollarë, znj. Marinato tha se tani po fokusohet vetëm te rikthimi i biznesit në gjendjen që ishte para ndërhyrjes së AI-t të Meta-s.

Thjesht duhet të vazhdoj të punoj fort dhe të shpresoj që kjo të mos ndodhë më./ TAR

Top Channel