
Tensionet në Rripin e Gazës janë përshkallëzuar sërish, teksa ushtria izraelite ka avancuar për herë të parë në zonat jugore dhe lindore të qytetit Deir Al-Balah.
Sipas agjencisë Reuters, forcat tokësore të Izraelit kanë hyrë në këto zona nën dyshimet se aty mund të mbahen disa nga pengjet e mbetura në duart e Hamasit.
Sulmet me tanke kanë goditur të paktën tetë shtëpi dhe tre xhami, duke shkaktuar të paktën tre të vdekur dhe disa të plagosur, sipas burimeve mjekësore palestineze. Ky ofensivë ndodhi një ditë pasi ushtria izraelite i kishte urdhëruar banorët të largoheshin nga zona, me argumentin se planifikonin të përballeshin me militantët e Hamasit.
Si pasojë e ofensivës, dhjetëra familje që kishin mbetur në lagje u detyruan të braktisin shtëpitë dhe të zhvendosen drejt bregut perëndimor të Deir Al-Balah dhe qytetit të afërt Khan Younis.
Më herët gjatë së hënës, në Khan Younis, një sulm ajror izraelit vrau të paktën pesë persona, përfshirë një burrë, bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e tyre, të cilët ndodheshin në një tendë, njoftuan mjekët vendas.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga ana e ushtrisë izraelite në lidhje me incidentet në Deir Al-Balah dhe Khan Younis.
Ndërkohë, situata humanitare në Gaza mbetet kritike, me civilë që po përballen çdo ditë me rrezik për jetën mes bombardimeve, zhvendosjeve të detyruara dhe mungesës së ndihmës bazë.
Top Channel