Kontrollet për Inceneratorin e Elbasanit/ Policia shkon për gruan, përgjegjëse në sektorin e mbetjeve, në pranga bie burri

21/07/2025 14:25

Veç Denis Hasallës drejtor në kabinetin e bashkisë Peqin, i cili është njëkohësisht edhe vëllai i deputetit socialist Saimir Hasalla, në pranga ka rënë edhe një person tjetër.

Policia arrestoi edhe Bledar Çullhajn, i cili nuk ka asnjë funksion publik, por gruaja e tij është përgjegjëse në sektorin e mbetjeve, sipas gazetares së Top Channel, Bruna Kërçyku.

Gjatë kontrollit në banesë, 36-vjeçarit iu gjet një armë e ftohtë.

Me vendim të Gjykatës Prokuroria dhe policia e Elbasanit që prej orëve të para të mëngjesit kanë zhvilluar kontrolle në banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në qytetin e Elbasanit.

Hetimet kanë nisur më shumë se 1 vit më parë për zjarrvënësve, teksa fusha e mbetjeve u përfshi nga flaket në vitin 2024, por duket se gjatë hetimeve prokuroria gjeti elemente të shpërdorimit të detyrës.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se janë kontrolluar banesat e nënkryetarëve ose ish nënkryetarëve në Peqin, Gramsh, Librazhd e Cërrik për të gjetur dokumentacion në lidhje me mbetjet që dërgohen në incenerator.

Janë sekuestruar telefona dhe mjaft materiale që hedhin dritë për kryerjen e hetimeve lidhur me “shpërdorim detyre”.

Top Channel