
Denis Hasalla, vëllai i deputetit të PS Saimir Hasalla ka rënë në prangat e policisë pas kontrolleve në Elbasan.
35-vjeçarit gjatë kontrollit në banesën e tij iu gjet një sasi municioni luftarak.
Ai aktualisht mban pozicionin e drejtorit të kabinetit në bashkinë Peqin, sipas gazetares së Top Channel, Bruna Kërçyku.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve: Bledar Çullhaj, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë; Denis Hasalla, 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Saimir Hasalla arriti të merrte mandatin e deputetit, pasi u shpall fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Saimir Hasalla
Me vendim të Gjykatës Prokuroria dhe policia e Elbasanit që prej orëve të para të mëngjesit kanë zhvilluar kontrolle në banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në qytetin e Elbasanit.
Hetimet kanë nisur më shumë se 1 vit më parë për zjarrvënësve, teksa fusha e mbetjeve u përfshi nga flaket në vitin 2024, por duket se gjatë hetimeve prokuroria gjeti elemente të shpërdorimit të detyrës.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se janë kontrolluar banesat e nënkryetarëve ose ish nënkryetarëve në Peqin, Gramsh, Librazhd e Cërrik për të gjetur dokumentacion në lidhje me mbetjet që dërgohen në incenerator.
Janë sekuestruar telefona dhe mjaft materiale që hedhin dritë për kryerjen e hetimeve lidhur me “shpërdorim detyre”.
Top Channel