Artizania e fundit në Fier që punon ende në tezgjah, 68-vjeçarja e përkushtuar te punimet tradicionale shqiptare

20/07/2025 15:09

Në një dhomë të thjeshtë gjumi në qytetin e Fierit, vazhdon të gjëmojë ende një zanat i hershëm që po shuhet me kohën.

68-vjeçarja Fitnete Ereqi është ndoshta artizania e fundit në këtë qytet që punon ende në tezgjah. Një jetë të tërë e ka kaluar mes fijeve të leshit dhe dizenjove tradicionale shqiptare.

“Punën e kam filluar në moshën 18-vjeçare në leshpunuesen e Fierit. Ishim mbi 500 gra që punonim sixhade për eksport. Vazhduam deri në fillim të viteve ’90, pastaj u mbyll gjithçka. Unë nuk u ndala – bleva një tezgjah dhe e vendosa në dhomën e gjumit. Që atëherë, punoj në shtëpi”, tha ajo.

Fitnetja ka punuar për 15 vite në ndërmarrjen shtetërore, dhe për 35 vite të tjera, vetë, në shtëpinë e saj. Në total janë 50 vite përkushtim ndaj këtij zanati që sot thuajse është harruar.

Ajo tregon se punimi i një sixhadeje është i ndërlikuar dhe kërkon kohë e bashkëpunim mes dy ose tre grave, për afro një muaj e gjysmë.

Një metër katror mund të arrijë deri në 300 mijë lekë. Për këtë arsye, ajo prodhon shumë më tepër qilima, të cilët janë më të thjeshtë dhe më të përballueshëm për klientët.

“Sixhade kam bërë vetëm një herë, është shumë e kushtueshme. Ndërsa qilima kam bërë shumë. Lëndën e parë e marr nga Vlora, por edhe ajo po bëhet e vështirë. Kostot janë të larta dhe kërkesat të pakta.”

Në një kohë kur artizanati është në rrezik të zhduket, historia e Fitnetes është një thirrje për të mos harruar rrënjët dhe traditën.

Ajo nuk është thjesht një grua që punon në tezgjah, është një kapitull i gjallë i trashëgimisë kulturore shqiptare, që meriton të ruhet dhe të vlerësohet.

“Të rinjtë nuk duan tezgjah, duan gjëra moderne. Më vjen shumë keq që nuk do mundem t’ia lë dikujt këtë profesion.”

Top Channel