
Pas një mungese të gjatë 25-vjeçare, piktori Gjergj Meta është rikthyer me një ekspozitë personale në Galerinë “Art Saranda”, duke sjellë 51 punime që shpalosin peizazhin e kompozuar dhe abstragime dekorative, të gjitha të frymëzuara nga drita dhe bukuria unike e bregdetit të Sarandës.
Drejtori i galerisë, piktori Lefter Çeko, u shpreh se kjo ekspozitë paraqet zhvillimin e ritmit krijues të autorit deri në trajtimet abstrakte që gjejnë vend sot në ambiente të ndryshme.
“Ekspozita e piktorit Gjergj Meta na vjen sot me 51 vepra të peizazhit të kompozuar e në një farë mënyre tregon edhe ritmin e zhvillimit të vet deri tek abstragimet dekorative që janë të dëshirueshme në ambiente të ndryshme. Ekspozita ka motive nga i gjithë vendi, edhe nga Saranda ,bregu i detit, drita e Sarandës. Me mënyrën e vet, me penelatën e tij, me teknikën e kombinuar brenda tablosë, të përmasave të mëdha e të vogla. Të gjitha përcjellin emocione e imazhe të vlerave të qytetit tonë”, tha piktori, Lefter Çeko.
Për autorin, rikthimi në Sarandë është një lidhje emocionale e vazhdueshme me qytetin që e ka frymëzuar që prej fillimeve të tij artistike.
“Është një dashuri e vjetër dhe unë jam këtu me këtë ekspozitë pas 25 vjetësh. Kam sjellë vepra të Sarandës dhe disa vepra të tjera që i kam realizuar këtë vit. Saranda ka shumë motive për të punuar ,është një qytet fantastik. Është një qytet dinamik dhe në ndryshim. Është një amfiteatër modern, me një strukturë të rrëmujshme, por shumë interesante ,që nga varkat e vogla e deri tek anijet, turistët, ndryshimet, problemet që nuk ia heqin bukurinë”, u shpreh piktori, Gjergj Meta.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun dhe grupet turistike deri më 25 korrik, duke ofruar një mundësi të veçantë për t’u njohur me artin bashkëkohor të frymëzuar nga peizazhi shqiptar.
Pas kësaj ekspozite, Galeria “Art Saranda” ka programuar disa autorë të tjerë për të vijuar sezonin artistik të verës.
Top Channel