Vodhën pajisje mbrojtëse nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Skocisë gjatë pandemisë dhe i shitën online, dënohet mjekja dhe bashkëshorti i saj

18/07/2025 19:00

Një mjeke dhe bashkëshorti i saj janë dënuar me nga 10 muaj burg secili, pasi përfituan gati 8.000 paund nga shitja e pajisjeve mbrojtëse personale (PPE) të vjedhura nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Skocisë (NHS Scotland), gjatë muajve të parë të pandemisë së Covid 19.

Attiya Sheikh, 46 vjeçe, punonte si mjeke në University Hospital Hairmyres, ndërsa bashkëshorti i saj Omer Sheikh nuk ishte pjesë e sistemit shëndetësor.

Të dy pranuan fajësinë për marrjen dhe shitjen e pajisjeve të vjedhura, që përfshinin maska dhe doreza mjekësore, në periudhën 30 maj dhe 7 tetor 2020.

Ata i shitën këto artikuj përmes disa llogarive në eBay, duke përfituar 7.827 paund. Gjatë një kontrolli në tetor 2020, policia gjeti 121 kuti me pajisje mbrojtëse në papafingon e shtëpisë së tyre në Thornliebank, East Renfreëshire.

“Ishte një periudhë ku bota përjetonte frikë dhe ankth të jashtëzakonshëm. NHS përballej me një krizë të paprecedentë dhe mungesë ekstreme të PPE-ve. Ju zgjodhët të përfitonit financiarisht duke shitur këto pajisje të vjedhura. Kjo është një tradhti e thellë ndaj kolegëve dhe shoqërisë”, tha gjyqtarja Sukhwinder Gill, para se të jepte vendimin.

Ajo shtoi se motivi ishte lakmia e pastër, dhe se si mjeke, Sheikh kishte një detyrim moral për të mbrojtur sistemin dhe pacientët e saj.

Avokati John Scullion KC tha se mjekja tani është e papunë dhe shtoi se ajo ka jetuar për pesë vite me turpin e veprimit të saj, duke shtuar se ka punuar fort për të kontribuar në shoqëri si mjeke, por tani ka humbur gjithçka për shkak të një vendimi të gabuar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta