Trump njofton se do padisë mediat pasi botuan lajmin e një letre dërguar Jeffry Epstein, presidenti i kërkon Prokurores së Përgjithshme të publikojë dëshmitë

18/07/2025 12:51

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të padisë gazetën prestigjioze The Wall Street Journal, pasi kjo e fundit publikoi një artikull ku përmendet një letër e dyshimtë, me përmbajtje të papërshtatshme, që supozohet se është shkruar nga Trump për financierin e Jeffrey Epstein në vitin 2003.

Letra ishte pjesë e një koleksioni urimesh për 50-vjetorin e lindjes së Epstein dhe, sipas gazetës, përmbante një vizatim të një gruaje nudo, ku mbi zonën intime ishte nënshkruar emri “Donald”.

Artikulli, që u përhap me shpejtësi në kryeqytetin amerikan, thotë se letra mban nënshkrimin e Trumpit dhe përmban një mesazh që përfundon me frazën: “Gëzuar ditëlindjen dhe qofsh çdo ditë një sekret tjetër i mrekullueshëm”. Trump e ka mohuar kategorikisht se letra është e tij.

Në një reagim në platformën e tij Truth Social, ai e quajti artikullin “gënjeshtër, shpifje dhe mashtrim”.

“Redaktori i The Wall Street Journal u informua drejtpërdrejt nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt dhe nga unë vetë, se letra është FALSE”, shkruan Trump.

“Sërish, ata publikuan një histori të rreme. Presidenti Trump do të padisë së shpejti The Wall Street Journal, NewsCorp dhe Rupert Murdoch. Shtypi duhet të mësojë të thotë të vërtetën”.

Në të njëjtën ditë, Trump kërkoi që Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi të publikojë transkriptet e dëshmive të jurisë së madhe për çështjen Epstein, “nëse miratohet nga gjykata”.

Publikimi i letrës ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e mëhershme të Trump me Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të Trump, i akuzuar për trafik seksual të vajzave të mitura për llogari të të pasurve dhe të fuqishmëve.

Ndërkohë që mbështetësit e së djathtës ekstreme në SHBA kanë ngritur vazhdimisht teori konspirative mbi ekzistencën e një “liste klientësh” të Epstein dhe një vrasje të simuluar në burg, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI publikuan kohët e fundit një deklaratë ku theksojnë se nuk ka prova për një listë të tillë, dhe as për ndonjë komplot për vrasjen e Epstein.

Ata ritheksuan se ai kreu vetëvrasje dhe se hetimet nuk do të vazhdojnë më tej.

 

Top Channel