
Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një ligj të ri historik për industrinë e kriptovalutave, të quajtur “Akti Gjenial”, i cili vendos rregullat e para për përdorimin dhe mbikëqyrjen e stablecoin-eve në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë, Trump e përshkroi ligjin si “një revolucion të madh në teknologjinë financiare” dhe theksoi se kjo nismë do të ndihmojë në rritjen e besimit dhe përdorimit të monedhave dixhitale në tregun amerikan.
“Legjislacioni ndërmerr një hap gjigant për të çimentuar dominimin amerikan të financave globale dhe teknologjisë së kriptovalutave. Ky nënshkrim është një vlerësim masiv i punës suaj të palodhur dhe shpirtit tuaj pionier“, tha presidenti amerikan.
Projektligji, i mbështetur nga republikanët dhe disa demokratë, kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me 308 vota pro dhe 122 kundër, pasi ishte miratuar më herët edhe në Senat.Trump ka ndërtuar një lidhje të ngushtë me industrinë e kriptovalutave që pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Sipas një analize të Bloomberg, ai ka përfituar 620 milionë dollarë nga sipërmarrjet në këtë sektor, përfshirë edhe memecoin-in e tij personal “$TRUMP”.
Ligji megjithatë është shoqëruar edhe me kritika të forta, sidomos nga demokratët. Senatorja Elizabeth Warren shprehu shqetësime për interesat e mundshme të Presidentit në tregun që tani do të rregullohet nga administrata e tij, duke thënë se do të shtohet korrupsioni.
Përveç “Aktit Gjenial”, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi edhe dy projektligje të tjera që lidhen me kriptovalutat, të cilat ende presin miratimin e Senatit.
Top Channel