SHBA 9 miliardë më pak ndihma botës, Dhoma e Përfaqësuesve miraton paketën e shkurtimeve financiare për transmetuesit publik

18/07/2025 12:26

Mëngjesin e së premtes Dhoma e Përfaqësuesve miratoi përfundimisht kërkesën e presidentit, Donald Trump për t’i tërhequr rreth 9 miliardë dollarë nga fondet e ndihmave amerikane në botë, por edhe për transmetuesit publikë.

Paketa për shkurtime financiare mori 216 vota pro dhe 213 kundër dhe tani do t’i dërgohet presidentit Trump për t’u nënshkruar në ligj.

Paketa anulon rreth 1.1 miliard dollarë për Korporatën për Transmetimin Publik dhe gati 8 miliardë dollarë për një sërë programesh për ndihmat jashtë vendit, shumë prej të cilave synojnë t’i ndihmojnë vendet që përballen me thatësira, sëmundje dhe paqëndrueshmëri politike.

Ndër shkurtimet për ndihmat amerikane në botë përfshihen 800 milionë dollarë për një program që ofron strehim emergjent, ujë dhe ribashkimin e familjeve për refugjatët, 496 milionë dollarë për të siguruar ushqim, ujë dhe kujdes shëndetësor për vendet e goditura nga katastrofat natyrore dhe konfliktet.

Gjithashtu përfshihet një shkurtim prej 4.15 miliardë dollarësh për programet që synojnë forcimin e ekonomive dhe institucioneve demokratike në vendet në zhvillim.

Shtëpia e Bardhë argumentoi se shumë nga këto shkurtime do të nxisnin vendet e tjera të marrin më shumë përgjegjësi në përballjen me krizat humanitare dhe se anulimi i fondeve i shërben më së miri taksapaguesve amerikanë.

Por disa republikanë u ndien të shqetësuar për shkurtimet dhe thanë se i mbështetën vetëm për të mos zemëruar mos Trumpin.

“Duhet të rikthehemi tek sensi fiskal dhe ky është një hap i rëndësishëm”, tha Mike Johnson.

Kundërshtarët shprehën shqetësime jo vetëm për programet e prekura, por edhe për faktin se Kongresi po ia dorëzonte kompetencat e tij për shpenzimet degës ekzekutive, pasi investimet e miratuara në mënyrë dypartiake po anuloheshin më pas me vota të ndara sipas vijës partiake.

Ata thanë se përpjekjet e mëparshme për anulim kishin pasur të paktën mbështetje të pjesshme dypartiake dhe e përshkruan paketën republikane si të paprecedentë.

 

Top Channel