
Industria globale e karburanteve fosile ka liruar në atmosferë 389 milionë ton shtesë ndotje karboni gjatë vitit 2024, përmes praktikës së djegies së panevojshme të gazit, duke e barazuar këtë ndotje me emetimet vjetore të Francës, thuhet në një raport të ri të Bankës Botërore.
Raporti, i hartuar nga Partneriteti për Reduktimin e Djegies së Gazit dhe Metanit (GFMR), e përshkruan këtë si një “shkatërrim të madh dhe të panevojshëm të një burimi energjie”, që përkeqëson krizën klimatike në mënyrë të ndjeshme, sipas The Guardian.
Djegia e gazit është një praktikë që përdoret për të liruar presionin gjatë nxjerrjes së naftës, por në shumicën e rasteve, kompanitë thjesht e djegin gazin sepse është më lirë sesa ta marrin, përpunojnë dhe transportojnë atë.
Sipas të dhënave të raportit, në vitin 2024 u dogjën 151 miliardë metra kub gaz natyror, një rritje prej 3 miliardë krahasuar me vitin 2023 – duke e çuar sasinë në nivelin më të lartë që nga viti 2007.
“Djegia e gazit është e panevojshme dhe e pafalshme. Është një mundësi e humbur për të rritur sigurinë energjetike dhe për të përmirësuar aksesin në energji të qëndrueshme,” tha Zubin Bamji, drejtues i GFMR.
Raporti thekson se nëntë vende – Rusia, Irani, Iraku, SHBA, Venezuela, Algjeria, Libia, Meksika dhe Nigeria – përbëjnë 75% të të gjithë gazit të djegur në botë. Shumica janë vende ku kompanitë e naftës janë në pronësi shtetërore dhe ku zbatimi i rregullave është i dobët ose inekzistent.
Intensiteti i djegies – sasia e gazit të djegur për çdo fuçi nafte të prodhuar – ka mbetur “kokëfortësisht i lartë” për më shumë se 15 vite. Norvegjia, e cilësuar si një nga prodhuesit më të pastër të naftës dhe gazit, ka një intensitet djegieje 18 herë më të ulët se SHBA dhe 228 herë më të ulët se Venezuela.
Dëme për klimën dhe shëndetin
Eksperti i energjisë Andrew Baxter nga organizata Environmental Defense Fund e quajti raportin “zhgënjyes dhe alarmant”.
“Këto nivele të djegies janë një humbje ekstreme e burimeve. Janë katastrofike për klimën dhe shëndetin njerëzor,” tha ai.
Humbje e madhe ekonomike
Vlera e gazit të djegur gjatë 2024-ës, sipas çmimeve të importit në BE, do të kishte arritur në 63 miliardë dollarë – më shumë se gjysma e investimit që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thotë se është e nevojshme për të eliminuar krejtësisht këtë praktikë deri në vitin 2030.
Zgjidhjet ekzistojnë, mungon vullneti politik
Ekspertët theksojnë se teknologjitë për kapjen dhe përpunimin e gazit tashmë ekzistojnë dhe janë shpesh të leverdishme ekonomikisht.
“Problemi nuk është te zgjidhjet, por te mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e presionit rregullator,” tha Jonathan Banks nga organizata Clean Air Task Force.
Raporti gjithashtu thekson disa përparime: vende si Angola, Egjipti, Indonezia dhe Kazakistani kanë arritur të ulin ndjeshëm djegien e gazit. Sidomos Kazakistani, falë gjobave të larta për shkelësit, e ka ulur djegien me 71% që nga viti 2012.
Thirrje për bashkëpunim global
GFMR bën thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar, veçanërisht nga vendet e mëdha importuese të naftës, për të krijuar stimuj që shpërblejnë prodhuesit e përgjegjshëm dhe vendosin standarde më të larta për të gjithë.
Sipas raportit, vendet që i janë bashkuar iniciativës së Bankës Botërore “Zero Djegie Rutinë deri në 2030” kanë ulur intensitetin e djegies me 12% që nga viti 2012, ndërsa vendet që nuk janë angazhuar në këtë nismë e kanë rritur atë me 25%.
“Reduktimi i djegies së gazit kërkon investime fillestare, infrastrukturë të duhur, rregullore të forta dhe vullnet politik të vazhdueshëm,” përfundon Bamji.
“Por kur këto kushte plotësohen, përfitimet janë të mëdha – si për klimën, ashtu edhe për ekonominë.”
Top Channel