
Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është vënë nën masa të rrepta sigurie nga autoritetet braziliane, teksa ai përballet me akuza serioze për përpjekje për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Policia federale bastisi rezidencën e tij në Brasília, i vendosi një byzylyk elektronik dhe e ndaloi të komunikojë me diplomatë të huaj apo të hyjë në ambiente diplomatike, sipas The Guardian.
Gjykata e Lartë pritet të shpallë vendimin përfundimtar në javët në vijim lidhur me akuzat se Bolsonaro ka organizuar një komplot për të marrë pushtetin me forcë, në vend që të pranonte humbjen në zgjedhje.
Një dënim me fajësi konsiderohet thuajse i sigurt dhe ish-presidenti përballet me një dënim deri në 43 vjet burg.
Shqetësimet se Bolsonaro mund të arratiset janë shtuar pas publikimit të një letre publike nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili i doli në mbrojtje aleatit të tij të djathtë, duke kritikuar atë që e quajti “gjueti shtrigash” dhe duke kërcënuar me tarifa të reja 50% ndaj mallrave braziliane.
Menjëherë pas këtij zhvillimi, forca të armatosura të policisë u paraqitën në vilën dykatëshe të Bolsonaros në zonën luksoze të “Botanical Garden” në kryeqytet. Policia konfirmoi se kishte ekzekutuar dy urdhra kontrolli dhe kishte vendosur masa parandaluese, të cilat përfshijnë: Vendosjen e një byzylyku elektronik’ Detyrimin për të qëndruar në shtëpi nga ora 19:00 deri në 07:00 dhe gjatë fundjavave; Ndalimin për të përdorur rrjete sociale; Ndalimin për të komunikuar me ambasadorë dhe diplomatë; Ndalimin për të hyrë në ambiente diplomatike.
Sipas televizionit TV Globo, gjatë bastisjes janë sekuestruar 14 mijë dollarë para të gatshme dhe një USB që dyshohet se ishte fshehur në banjo.
Gjithashtu, po hetohet edhe një tjetër pistë e ndjeshme: nëse Bolsonaro ka ndikuar tek Trump për të vendosur tarifat 50% kundër Brazilit, si një formë presioni ndaj drejtësisë braziliane për të ndalur hetimet apo për ta falur atë.
Djali i tij, deputeti Eduardo Bolsonaro ka udhëtuar në SHBA në shkurt dhe thuhet se ka lobuar për vendosjen e sanksioneve kundër gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, i cili drejton hetimin ndaj Bolsonaros.
Pas shpalljes së tarifave, Eduardo shkroi në rrjetet sociale: “FALEMINDERIT PRESIDENT TRUMP – LIRI PËR BRAZILIN.”
Megjithatë, efekti i këtij presioni ndërkombëtar duket se ka rezultuar i kundërt. Presidenti aktual i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva është forcuar politikisht nga situata dhe ka pësuar rritje në sondazhe, duke e shfrytëzuar krizën për të konsoliduar pozitën e tij.
Top Channel