
Në një kthesë të papritur të ngjarjeve politike në Spanjë, Partia Popullore (PP) është përfshirë në një skandal të madh korrupsioni, në një moment kur mendonte se kishte vendosur qeverinë socialiste të Pedro Sánchez në defensivë për shkak të çështjeve të saj të shumta penale.
Ish-ministri i Financave, Cristóbal Montoro është në qendër të akuzave për trafik dhe abuzim me detyrën, përmes krijimit të një zyre të quajtur “ekipi ekonomik”, e lidhur me ministrinë e Financave, që dyshohet se ka përfituar miliona euro në formë komisionesh nga kompani gazi dhe energjetike, në këmbim të politikave të favorshme qeveritare, sipas The Guardian.
Sipas një hetimi të policisë të udhëhequr nga gjyqtari Rubén Rus, Montoro dhe 27 persona të tjerë — përfshirë zyrtarë të lartë të Thesarit kanë marrë mbi 11 milionë euro nga kompani të mëdha energjetike midis viteve 2008 dhe 2015. Gjyqtari thekson se “ekipi ekonomik” funksiononte si ndërmjetësues për të ndikuar në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv, duke qenë në realitet një kanal për të ndikuar direkt mbi ministrinë.
Në raport thuhet se kompanitë e gazit kishin tentuar më parë të ndikojnë përmes lobimit, por pa sukses — dhe se ndryshimet e favorshme ligjore u arritën vetëm kur ndërhynte struktura e Montoros, që solli ulje të konsiderueshme taksash për industrinë energjetike.
Skandali thellohet më tej me akuza të tjera të rënda: Montoro dyshohet se ka përdorur në mënyrë të paligjshme aksesin e tij në sistemin tatimor për të hetuar rivalë të tij politikë brenda partisë, si edhe figura publike dhe mediash.
Midis emrave të përmendur janë Esperanza Aguirre, ish-presidentja e Komunitetit të Madridit, tenisti Rafael Nadal, koleksionistja e artit Carmen Thyssen dhe Jordi Pujol Ferrusola, djali i ish-presidentit katalanas Jordi Pujol.
Mësohet se ish-kryeministri Mariano Rajoy ishte paralajmëruar për veprimtarinë e Montoros, por nuk mori asnjë masë.
Montoro dha dorëheqjen nga Partia Popullore të enjten dhe përmes një deklarate tha se “nuk ekziston asnjë provë për asnjë nga akuzat”.
Skandali përbën një goditje serioze për strategjinë e liderit aktual të PP-së, Alberto Núñez Feijóo, i cili ka ndërtuar të gjithë fushatën e tij në sulme të vazhdueshme ndaj kryeministrit Sánchez për çështje korrupsioni. Feijóo tha se këto zbulime nuk e ndryshojnë qëndrimin e tij për nevojën për të luftuar korrupsionin, kudo që ndodhet ai. “Çdo gjë që duhet hetuar, duhet hetuar,” tha ai.
Top Channel