Mjekët po ikin më pak, Urdhri i Mjekut: Ka mjekë të rinj që rikthehen dhe aplikojnë në spitalet shtetërore

18/07/2025 15:35

Frenohet ikja e mjekëve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian për të punuar dhe jo vetëm. 

Në 6-mujorin e parë të këtij vihet re një rënie e numrit të mjekëve që kanë kërkuar tërheqjen e certifikatës së sjelljes së mirë pranë Urdhrit të mjekëve, dokument pa të cilin nuk mund të punësohen në asnjë klinike mjekësore të huaj, jashtë Shqipërisë .

“Një vit më pare kishte 146 mjekë që kërkuan certifikatën e sjelljes së mirë që presupozohet se e kërkojnë për t’u punësuar në klinika të vendeve jashtë Shqipërisë.  Këtë vit ka një rënie. Janë vetëm 46 certifikata të lëshuara për 6-mujorin e parë të vitit”, tha Dritan Trepça, president i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut tanimë, vihet re një tjetër trend, ai i kthimit të mjekëve të rinj që janë larguar, për t’u regjistruar në portalin e punësimit të mjekëve për në sistemin shëndetësor publik.

“Vihet re një kthim i mjekëve të rinj të cilët pasi kanë marrë një farë eksperience jashtë, kthehen dhe aplikojnë në portal për të hyrë në sistemin publik shëndetësor”, u shpreh Trepça.

Nga ana tjetër ka një shtim të mjekëve të huaj të cilët zgjedhin klinika mjekësore jopublike për të ofruar shërbim shëndetësor në Shqipëri. Fenomeni i largimit te bluzave të bardha mbetet një  shqetësim serioz jo vetëm për sistemin shëndetësor shqiptar por dhe për shume vende të Europës dhe jo vetëm.

 

Top Channel