
Nga Baton Haxhiu
E pashë pa dashje. Nuk po kërkoja një spektakël, por mbeta brenda një përvoje. Në një mbrëmje ku duartrokitjet nuk dukeshin të porositura dhe zërat nuk mateshin me decibel, por me shpirt.
Në atë studio ku ndodh “AG SHOW”, ndodhi edhe diçka me mua, m’u kujtua pse muzika nuk është vetëm art, por amanet. Dhe m’u kujtua se nuk ka tjetër si Aurela.
Nuk e kam parë qëllimisht. Thjesht më ndodhi. Ashtu siç ndodhin disa gjëra të bukura që nuk i planifikon, por kur të ndodhin, ndihesh fajtor që nuk i ke kërkuar më herët. “AG SHOW” më zuri në befasi.
Me të njëjtin përkushtim emocional me të cilin dikur i ndiqja “Këngët e Shekullit” të Pandi Laços, u gjenda papritur në një univers të njëjtë, por të çliruar nga solemniteti. Një univers ku kënga nuk thjesht përmendet, por ringjallet. Ku historia nuk rrëfehet, por ndjehet. Ku kujtesa nuk sillet si ngarkesë, por si frymë.
E pashë Aurela Gaçen ndryshe. Jo më vetëm si një zë që shpërthen skenën, por si një artiste që ndërton një skenë të re. Jo një skenë ku të këndojë vetëm ajo, por një botë ku të përjetojmë të gjithë – publik, muzikantë, miq të ftuar, edhe vetë kujtesa.
Sepse “AG SHOW” nuk është vetëm një emision muzikor. Është një koncept. Është ndoshta formati më i plotë që ka pasur ndonjëherë televizioni shqiptar për të treguar historinë e këngës shqiptare pa ndrojtje, pa komplekse krahinore, pa kufij stilistikë.
Nga iso-polifonia labe te baladat kosovare. Nga rock-u i viteve ’90 te serenatat e qyteteve të vogla. Nga kënga qytetare te hiti pop i harbuar. Dhe e gjitha kënduar jo vetëm nga të ftuarit, por nga vetë ajo – Aurela Gaçe.
Kjo është arsyeja pse ky spektakël është i rrallë. Sepse Aurela nuk është vetëm prezantuese. As vetëm këngëtare. As vetëm ikonë. Ajo është vetë skena. E mban mbi supe me një fuqi që nganjëherë të duket e mbinatyrshme. Ndërron zhanër, ndërron tonalitet, ndërron ritëm e gjuhë, por nuk ndërron asnjëherë qëllimin: ta nderojë këngën dhe njeriun që e ka kënduar.
E shikoj “AG SHOW” sepse aty ndjej një lloj drejtësie muzikore që shpesh i ka munguar ekranit shqiptar. Ndjej që dikush po përpiqet seriozisht t’i japë muzikës shqiptare vendin që i takon. Jo duke e hipur në piedestal, por duke e sjellë në jetë. Duke e përjetuar.
Orkestra është një kapitull më vete. Nuk ka ngurtësi. Ka shpirt. Ka një lloj komunikimi të heshtur mes Aurelës dhe muzikantëve që nuk mund ta përkthejnë as notat, as ekranet. Është një energji që vjen nga pasioni, jo nga regjia. Dhe kjo energji nuk është për t’u parë me sy, por për t’u ndjerë me zemër.
Dialogët janë spontanë, të mençur dhe të gjallë. Jo ato batutat e lodhura të formateve të tjera. Por reflektime. Kujtime. Nënqeshje. Emocione të vërteta. Ndjeshmëri për të ftuarin dhe për këngën. Dhe gjithmonë, një nderim i qartë për ata që i dhanë muzikës shqiptare frymën që ka.
Kur rock-u i Elita 5 zbriti në studio si një himn nga qielli
Ishte momenti që nuk prisja. Ose më saktë, nuk besoja se mund të ndodhte. Elita 5 në “AG SHOW”. Dhe jo thjesht si një ftesë nostalgjie, por si një bashkëjetesë artistike. Nuk ishte një performancë si të tjerat. Sepse Aurela nuk këndon “me” dikë. Ajo bashkohet. Nuk imiton, nuk përshtatet, por hyn në thelbin e këngës së tjetrit dhe e përjeton si të sajën.
Kur u bashkua me Elita 5 në një version të rrallë të “Ti më je frymëzim”, u kuptua menjëherë që ky spektakël po vendoste jo vetëm zëra pranë njëri-tjetrit, por energji të ndryshme që ndërtojnë identitetin tonë muzikor. Rock-u i pastër, himnik, i pastër si ajri i Tetovës që frymon në kitarat e Bledit e Agronit, u përplas butë me shpërthimin e Aurelës që e njeh dhimbjen e një fjale kur ajo nuk këndohet, por ndjehet. Aty muzika nuk ishte më interpretim, ishte çlirim. Një bashkim i dy skajeve të Shqipërisë së madhe përmes tingullit.
Kur Sinan Vllasaliu solli mallin e asaj Kosove që këndon edhe kur qan
Ka diçka të thellë, të heshtur, të burrërishme dhe të dhembshme në zërin e Sinan Vllasaliut. Një lloj fisnikërie që nuk të kërkon ta duash, por të bën të ndihesh fajtor nëse nuk e ndjen. Dhe Aurela e kuptoi këtë. Nuk e tejkaloi. Nuk e mbuloi. E respektoi. E shoqëroi siç një këngë dashurie shoqëron një jetë të tërë malli.
Kur kënduan bashkë “Çka ka që nuk më do”, salla u shndërrua në një vend pelegrinazhi për të gjitha dashuritë e pamundura. Asnjë fjalë nuk ishte e tepërt. Asnjë notë nuk ishte për zbukurim. Sinani nuk kërkonte as duartrokitje, as admirim. Vetëm praninë e njeriut tjetër që ia kupton dhimbjen. Dhe Aurela ishte ajo. Ajo e shndërroi dhimbjen në art dhe i dha zë Kosovës që nuk qan kurrë në publik, por këndon në heshtje.
Kur Gëzim Nika solli një Shqipëri që rrallë e shohim, por gjithmonë e mbajmë në shpirt
Ishte ndoshta momenti më i çuditshëm për një spektakël televiziv. Një moment që në çdo vend tjetër do quhej “jashtë kohe”. Por Gëzim Nika solli një kohë që nuk vdes kurrë. Ajo e këngës epike, polifonike, burimore. E një shqiptarie që s’ka nevojë për mikrofon, sepse e mban zërin në shpirt.
Dhe nuk ishim vetëm dëgjues, ishim dëshmitarë të një bashkimi që rrallë ndodh në ekran: Aurela Gaçe që i bashkohet një kënge të Veriut me përkushtimin e dikujt që e ka lindur në zemër, jo në gjeografi. Aty nuk kishte spektakël. Kishte shpirt. Kishte një përulje të pastër para një zëri që nuk këndon për karrierë, por për amanet. Aty ndodhi një mrekulli: televizioni u bë dritare e një Shqipërie që nuk flet kurrë, por kur flet, të bën të rrish në këmbë. Dhe për këtë arsye e ndjek “AG SHOW”.
Sepse aty çdo këngë është një rrëfim, jo një performancë. Sepse aty nuk ka ndarje krahinash, por bashkim ndjesish. Sepse aty nuk ka hierarki zërash, por një skenë ku të gjithë gjejnë vendin që u takon me dinjitet. Sepse aty ndodh ajo që nuk ndodh shpesh: një artiste nuk fton këngëtarë për të shkëlqyer vetë, por për t’i kthyer dinjitetin këngës shqiptare, në të gjitha format, dialektet dhe historitë e saj.
Nëse “Këngët e shekullit” i kam parë si muze të përkushtuar, me përmbajtje të çmuar, por të ngurtë, “AG SHOW” është si një shtëpi e hapur ku hyn kënga dhe del kujtesa. Dhe kjo nuk është pak. Kjo është gjithçka që një komb ka nevojë për të mos e harruar veten.
Top Channel e krijoi, Aurela i dha shpirt
“AG SHOW” është një nga ato produkte që vijnë rrallë në një ekran kombëtar. Nuk është thjesht ide e mirë. Është realizim i guximshëm. Dhe për këtë meriton edhe vetë Top Channel një falënderim publik. Sepse në një kohë kur shumica e televizioneve garojnë me zhurmë, ky televizion vendosi të investojë në kujtesë, në art, në identitet.
Por asnjë regji, studio apo buxhet nuk do të mjaftonte pa Aurela Gaçen. Sepse është ajo që e kthen skenën në shtëpi. Nuk e ngre zërin për të mbuluar boshllëkun, por e kthen çdo notë në frymëmarrje. Me të ftuarit nuk bën show, bën homazh. Dhe për publikun nuk jep spektakël, por e ngre në këmbë – shpirtërisht.
Nëse “AG SHOW” do të kishte ndodhur në një vend tjetër, do të cilësohej si arkiv kombëtar në lëvizje. Sepse nuk është vetëm program televiziv. Është një akt përbashkimi, një rikujtim, një nderim. Një Shqipëri muzikore që nuk kërkon të jetë moderne, por të jetë e vërtetë.
Ky spektakël nuk është për të kaluar kohën. Është për të mbajtur mend. Sepse jo gjithmonë kemi pasur një show që këndon më shumë se ç’thotë. Dhe jo gjithmonë kemi pasur një zë që nuk këndon vetëm për të fituar duartrokitje, por për të kujtuar pse ia vlen të këndosh.
Top Channel