Varësia nga mineralet e rralla, Gjermania “ia djeg” SHBA-së: Do bëhemi qendër në Europë

17/07/2025 16:18

Berlini zyrtar shpalosi së fundi një projekt tejet ambicioz: Gjermania të kthehet në qendrën kryesore të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Europë.

Qëllimi është të promovojë teknologjitë e së ardhmes, siç është inteligjenca artificiale, dhe vendi të kthehet në lider të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

“Ne do të krijojmë stimuj për të rritur prodhimin e gjysmëpërçuesve, pajisjeve dhe produkteve paraprake në Gjermani me të paktën tre fabrika të reja”, thuhet në agjendën e re të teknologjisë së lartë, të cilën e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

“Ne po sjellim fabrika të reja gjysmëpërçuesish në Gjermani dhe po konsolidojmë Gjermaninë si qendrën kryesore të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Europë”, shton Ministria Federale e Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Hapësirës në dokument. Nuk jepen hollësi të tjera. Agjenda do të miratohet nga qeveria brenda muajit korrik.

Qeveria e kaluar gjermane kishte vendosur tashmë një objektiv për të zgjeruar ndjeshëm prodhimin e gjysmëpërçuesve, por ndeshi në pengesë kur kompania amerikane Intel anuloi përkohësisht ndërtimin e një fabrike në Magdeburg.

Sakaq, dhe në fushën e gjeotermisë, Gjermania synon të bëhet pioniere globale. Dokumenti 35-faqësh thekson se, sipas ekspertëve, tregu global për teknologjitë e energjisë së gjelbër do të rritet nga 700 miliardë dollarë në vitin 2023 në më shumë se 2 bilionë dollarë në vitin 2035.

Top Channel