
Felix Baumgartner, një nga emrat më të njohur në botën e sporteve ekstreme, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare pas një aksidenti tragjik me paraglider në Itali.
Austriaku që u bë i famshëm në mbarë botën në vitin 2012, kur hodhi një hap të paprecedent nga një balonë heliumi në stratosferë, ka humbur jetën pasi u rrëzua me një paraglider të motorizuar në qytetin bregdetar të Porto Sant’Elpidio.
Sipas raportimeve nga Sky Austria, Baumgartner ishte në fluturim kur pësoi një “sëmundje të papritur”, duke humbur kontrollin dhe përfunduar në një pishinë hoteli. Goditja ishte fatale dhe ai u raportua i vdekur në vendngjarje.
Në këtë incident mbeti i plagosur edhe një punonjës i hotelit, i cili u godit nga paraglideri gjatë rrëzimit. Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe mendohet se ka pësuar dëmtime në qafë.
Baumgartner hyri në histori në vitin 2012, kur theu rekorde botërore duke u hedhur nga një lartësi prej mbi 39 kilometrash (rreth 24 milje), duke arritur një shpejtësi maksimale prej Mach 1.25 (843.6 mph), dhe u bë njeriu i parë që theu barrierën e zërit pa ndihmën e një automjeti.
Vetëm pak orë para aksidentit fatal, Baumgartner kishte shpërndarë disa postime të fundit në rrjetet sociale, duke ndarë entuziazmin për aventurat e tij të fundit — të cilat, fatkeqësisht, rezultuan të fundit në jetën e tij.
Ai do të mbahet mend si një pionier i guximshëm i sporteve ekstreme dhe si njeriu që sfidoi kufijtë e mundësisë njerëzore.
Top Channel