Sheikh Mohammed bin Zayed nderohet nga Rama me “Yll të Mirënjohjes Publike”, kryeministri: Erdhët si anëtar familjeje te ne

17/07/2025 11:23

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, u prit nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë, ku u dekorua me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, një vlerësim i lartë shtetëror për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike mes dy vendeve.

“Sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë.

Mund të jetë një gjest i thjeshtë krahasuar me gjithçka keni bërë për ne, por me mirënjohje të thellë, në emër të popullit shqiptar, kam nderin t’ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. E di që keni marrë shumë dekorata, më thonë mbi njëzet nga më prestigjiozet në botë.

Megjithatë, guxoj të shpresoj, e dini, jam kokëfortë se kjo kujtesë e mirënjohjes shqiptare mund të zërë një vend të veçantë mes tyre. E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit, dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot. Po këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi Kryeministër:

“Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë, Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës, Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë, Një flamur fisnik për njerëzimin mbarë.”

Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.

Kompozimi i tij risjell gjithashtu Vulën e Solomonit — Sulejmanit, mbretit të paqes — shpirti dhe trashëgimia e të cilit ndriçojnë në vetë udhëheqjen tuaj: si baba, burrë shteti, lider global, si njeri me besim dhe kulture të thellë.

Me një fjalë: si udhërrëfyes për njerëzimin. Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë”-tha Rama.

Top Channel