
Parku i liqenit artificial, mushkëria e vetme me oksigjen afër kryeqytetit, që frekuentohet aq shumë diku për të gjetur qetësi e relaks diku për ecje e vrapim duket se kohët e fundit nuk po ua ofron më këtë kënaqësi qytetarëve të Tiranës.
Shumë prej tyre të cilët kanë vite që e frekuentojnë shprehin pakënaqësi për një sërë problematikash që kanë nisur të shfaqen.
“Nuk është siç ka qenë. Nuk ka një tualet. Njerëzit kanë nevojë, duan të freskohen. Tualeti i vetëm që ka qenë prej dy javësh nuk funksionon. Kjo rruga që duhet të jetë me dhe për vrapim është mbushur me gurë. Mungojnë gjërat më elementare. Shteti bashkia duhet t’i shikojë këto”, thotë një qytetar.
Qytetarët ankohen edhe për barin që ka nisur të thahet.
“Është tharë bari”, u shpreh një qytetare.
Si në orët e mëngjesit, por edhe në darkë, parku frekuentohet nga qytetarë të shumtë të të gjitha moshave, por ata ndihen të riskuar nga lëvizja e monopateve dhe biçikletave të cilat nuk i ndalon askush.
Si të mos mjaftojnë këto qytetarët shprehen të shqetësuar dhe deri te frikësuar edhe për ata individë të cilët shëtisin qentë në park.
Qytetaret kërkojnë që bashkia e Tiranës të ndërhyjë menjëherë në mënyrë që të mos zhbëhet kjo pjese kryeqytetit që u ndërtua edhe pse kur nisi pati shumë kundërshtime, por në përfundim të gjithë e admiruan dhe shijuan atë.
Top Channel