
Një meteor i rrallë nga planeti Mars, guri më i madh marsian i zbuluar ndonjëherë në Tokë, është shitur për 4.3 milionë dollarë në një ankand të mbajtur në New York, sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby’s.
Meteoriti, i njohur si NWA 16788, peshon 24.5 kilogramë dhe është rreth 38 centimetra i gjatë, duke e bërë 70% më të madh se çdo fragment tjetër i njohur i Marsit i gjetur në Tokë deri më sot.
Copëza u zbulua në një zonë të largët të Nigerit në nëntor të vitit 2023 dhe u përshkrua nga ekspertët si “jashtëzakonisht e rrallë”. Deri tani, janë identifikuar vetëm rreth 400 meteorë marsianë në gjithë botën.
“Kjo është pjesa më e madhe e Marsit që ekziston në Tokë. Shanset që kjo të arrinte nga atje deri këtu janë astronomikisht të vogla,” – tha Cassandra Hatton, zëvendës-kryetare e departamentit të shkencës dhe historisë natyrore në Sotheby’s.
Ajo theksoi se, meqenëse 70% e sipërfaqes së Tokës është ujë, është një fat i jashtëzakonshëm që ky fragment ra në tokë të thatë ku mund të gjendej.
Meteoriti marsian u shit për 4.3 milionë dollarë, por me taksat dhe tarifat shtesë, çmimi përfundimtar u rrit në rreth 5.3 milionë dollarë. Sotheby’s nuk zbuloi blerësin, duke thënë se informacioni për shitjen mbetet privat.
Top Channel