EMRAT/ Sherr në Sarandë mes dy personave me precedentë penalë, i riu plagos me thikë ish-burrin e motrës

17/07/2025 11:15

Një sherr me thika mes dy personave me precedentë penalë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Mitat Hoxha” në qytetin bregdetar të Sarandës, ku për pasojë një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes Klodjan Bashollit, 44 vjeç, banues në fshatin Shijan të Delvinës, dhe 26-vjeçarit Elvis Ndoji, (Basholli është ish-burri i motrës së Ndojit), me banim në Sarandë. Përplasja ka përfunduar me përdorimin e armës së ftohtë, ku Basholli ka marrë plagë në brinjë nga një goditje me thikë, raporton korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi.

I plagosuri është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar i ngjarjes, Elvis Ndoji, është identifikuar nga policia.

Efektivët kanë arritur të negociojë me të dhe ta bindin që të vetëdorëzohet brenda pak orësh.

Të dy personat janë të njohur në rekordet e policisë për të kaluarën e tyre kriminale. Klodjan Basholli ka qenë më parë i dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar droge, pas një operacioni në vitin 2008, ku në plazhin e Manastirit u kap një skaf me 278 kg marijuanë. Ai është arrestuar sërish në vitin 2017 për vjedhje në zonat kufitare me Greqinë.

Nga ana tjetër, edhe Elvis Ndoji ka precedentë penalë. Ai u arrestua në tetor të vitit 2024 si autor i disa vjedhjeve, dhe gjatë ndalimit ju gjetën një thikë dhe një sopatë.

Policia e Sarandës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel