
Analisti Arjan Curi, gjatë diskutimit këtë mbrëmje në studion e “Top Story”, tregoi se Adriatik Lapajn e ka mik, por nuk e miraton vendimin e tij për të mos u tërhequr nga ambicia për karrigen e deputetit.
Sipas Curit, reagimet e fundit të Lapajt, ku ndaj kundërshtarëve përdori edhe termin ‘kënetë’, ashtu sikurse kryeministri Edi Rama i drejtohet opozitës, janë zhgënjyese.
“Adriatikun e kam mik, por më mik kam të vërtetën. Përveç faktit të përdorimit të një termi që është marrë nga Rama (Këneta), edhe viktimizimi i tij ngjan si ai i Ramës kur do të shpëtojë nga një situatë. Jam në një pozitë të vështirë tani, se Shabanin s’e njoh fare. Por thashë, filozofia na jep këtë parim, që nëse do të gjykosh drejt, bëhu empatik, çfarë do bëje po të ishe në këpucët e Shabanit, dhe çfarë do të bëje po të ishe në këpucët e Lapajt. A do ndodhte kjo e gjitha nëse Lapaj do mbante fjalën, kur disa herë thoshte s’do e marr mandatin”.
Fakti që Lapaj donte ta niste politikën me një shkelje premtimi, është shqetësuese, vijoi Curi.
“E them këtë dhe pse e kam mik. Domethënë si mund të kërkosh ta mbajnë fjalën të gjithë, përveç teje. O ta mbajnë të gjithë, ose mos e kërko mbajtjen e fjalës. Vjen një moment që duhet të bësh atë që ke thënë. Dhe politika e vjetër me politikën e re këtu ndahej. Se politika e vjetër, të tjera gjëra thoshte, të tjera bënte. Unë për fjalë të pambajtur, kam djegur karrierën, kam ikur nga shumë vende se e kam parë që dikush nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë”.
Lapaj do lacohej shumë fuqishëm politikisht, nëse do të mbante fjalën, theksoi analisti në “Top Story”.
Top Channel