
Aktorja britanike Emma Watson, e njohur për rolin e saj si Hermione Granger në sagën e famshme “Harry Potter”, është ndaluar nga drejtimi i automjetit për një periudhë prej gjashtë muajsh, pas një shkeljeje të shpejtësisë në qytetin e Oksfordit.
Sipas vendimit të marrë nga Gjykata e Magjistraturës në High Wycombe, Watson, 35 vjeç, ishte kapur duke udhëtuar me shpejtësi 38 milje në orë në një zonë me kufizim 30 mph, më 31 korrik të vitit të kaluar. Ajo kishte tashmë nëntë pikë penalizuese në patentën e saj përpara incidentit, çka e çoi automatikisht në pezullimin e lejes së drejtimit.
Aktorja, e cila aktualisht ndjek një master në “Shkrim Kreativ” në Universitetin e Oksfordit, nuk ishte e pranishme në seancën pesë-minutëshe, por avokati i saj konfirmoi se ajo është në gjendje të paguajë gjobën. Ajo u urdhërua të paguajë gjithsej 1,044 paund.
Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën gjykatë, një tjetër aktore nga bota e “Harry Potter”, Zoe Wanamaker — që interpretoi Madam Hooch — u dënua gjithashtu për tejkalim shpejtësie. Ajo ishte kapur duke udhëtuar me 46 mph në një zonë me kufi 40 mph në Newbury, Berkshire, më 7 gusht 2024.
Wanamaker, 76 vjeç, si edhe Watson, kishte nëntë pikë në patentën e saj dhe u gjobit me të njëjtën shumë prej 1,044 paundësh dhe u ndalua për gjashtë muaj nga drejtimi i automjetit.
Të dyja aktoret morën tre pikë shtesë, duke e çuar numrin total në 12, çka aktivizon automatikisht pezullimin e përkohshëm të patentës në Britaninë e Madhe.
Ndërkohë, një serial i ri televiziv i bazuar në librat e J.K. Rowling është në prodhim nga HBO dhe pritet të zgjasë një dekadë. Në këtë version të ri, Arabella Stanton do të marrë rolin e Hermiones.
Top Channel