Marrëveshje universitare me Ukrainën, Universiteti i Tiranës dhe ai i Mjekësisë bashkëpunim me institucionet arsimore në Kiev

16/07/2025 19:53

Në kushtet e një lufte të ashpër që ka prekur jetën e çdo ukrainasi, përfshirë edhe arsimin e lartë, është nënshkruar një marrëveshje mes Universitetit Ndërkombëtar Europian në Kiev dhe dy institucioneve arsimore publike shqiptare, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Mjekësisë.

“Etja për dije është simbol i mbijetesës në Ukrainë. Kjo marrëveshje është një mundësi më shumë për ta në fushën e mësimdhënies, inovacionit dhe të kërkimit shkencor”, u shpreh rektori i UT, Artan Hoxha.

Kjo marrëveshje është një hap i drejt shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe kërkuesve shkencorë, duke krijuar ura bashkëpunimi në kohë sfiduese për edukimin në Ukrainë.

“Barra akademike ndihet sidomos në programet e shëndetit kur ata nuk kanë sigurinë të zhvillojnë mësim. Ndaj Universiteti i Mjekësisë së Tiranës është i gatshëm të pres studentët”, tha rektori i UMT, Draçini.

Rektorja e Universitetit në Kiev u ndal te realiteti i vështirë me të cilin përballet aktualisht Ukraina duke vijuar mësimin në luftë: “Është viti i katërt i luftës dhe deri më tani janë dëmtuar mbi 600 institucione arsimore. Çdo natë në Kiev përballemi me sulme nga qindra dronë dhe raketa. Një pjesë e madhe e stafit akademik dhe studentëve janë larguar përkohësisht nga vendi. Në këtë situatë, bashkëpunimi juaj ka shumë vlerë për ne. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Shqipërisë.”

Kjo kontratë do të zgjas 5 vite dhe veç planit të ndërkombëtarizimit universitar për zhvillimin akademik, vlerësohet edhe si një shenjë solidarizimi në ndihmë të Ukrainës.

Top Channel