Lapaj-Shabani, krisje totale! Gara në Bashki dhe mandati i deputetit, zbulohen prapaskenat e përplasjeve mes liderëve të rinj

16/07/2025 19:32

Një punëtor ndërtimi, i cili u bë pjese  e armatës se  kandidateve fiktiv të koalicionit “Nisma Shqipëria Behet”, i prishi gjithë skemën Adriatik Lapajt, duke i vënë në rrezik ëndrrën e tij për tu bërë deputet.

Zeqir Kordhoni, ndryshe nga sa i ishte zotuar në fillim kryetarëve, ka ndërruar mendje dhe hodhi një hap të ri drejt marrjes së mandatit, duke i kërkuar zyrtarisht KQZ-së të injorojë çdo shkresë të bërë në emër të tij, nga koalicioni Nisma Shqipëria Behet.

“Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, thuhej në kërkesën e Kordhonit.

Marrëveshja parazgjedhore mes Adriatik Lapajë dhe Endri Shabanit parashikonte që në listën e mbyllur të garonin familjarët e të dyja palëve, të cilët do të hiqnin dorë për t’i lënë vendin kandidatëve më të votuar në listën e hapur, që në këtë rast, me vota rezulton të jetë Adriatik Lapaj. Ndaj më shumë se një kapriço e një familjari, duket se pas fshihet një krisje mes dy drejtuesve  të koalicionit, krisje të cilin e konfirmoi edhe vetë Adriatik Lapaj publikisht.

“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!”, shkruan Lapaj.

Adriaik Lapaj paralajmëron se as Shabani dhe as familjaret e tij nuk do gëzojnë mandatin e Tiranës dhe bindja e tij vjen pasi Zeqir Kordhoni renditet i 9-ti në listën e mbyllur të qarkut Tiranë, por që ai të behet deputet para tij janë 8 kandidatë të tjerë mes tyre familjare të Lapajt, të gatshëm të “hakmerren” për të.

Top Channel ka mësuar se divorci politik Lapaj-Shabani shkon përtej një mandati deputeti dhe si shkak ka mungesën e dakortësisë për një tjetër garë të pritshme, atë të Tiranës, ku Endrit Shabani projekton veten si kandidatin e vetëm të koalicionit kurdo që të bëhen zgjedhjet, ambicie që mesa duket nuk i ka shkuar për shtat aleatit të tij, për të cilin Shabani kishte një kundërpërgjigje.

“Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut. Dua të sqaroj tre gjëra: E para, mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim?”, shkruan Shabani.

Top Channel