
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i “Nisma Thurje”, Napolon Laska, ka shpërthyer në akuza ndaj kreut të kësaj partie, Endri Shabanit.
Ai e nis duke thënë se Shabani ka shkelur rregullat, që vendosën gjatë themelimit të partisë.
“Si themelues dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Nisma Thurje duke marrë shkas nga zhvillimet e ditëve të fundit, nuk mund të rri i heshtur dhe pa thënë disa gjëra të cilat meritojnë vëmendjen e publikut.
Kur është themeluar Nisma Thurje si parti, në fund të vitit 2020, statuti parashikonte që mos të kishte një kryetar të modelit të forcave të vjetra politike, por të kishte rotacion çdo 2 vite pa të drejtë rizgjedhjeje.
Gjithashtu, kryetari edhe pse i sanksionuar në statut si i tillë për shkak të kërkesave të ligjit, nuk kishte të drejtë vendimmarrje, por vendimmarrjen e kishte Çentrali, organ i partisë në të cilin vendimet merreshin në mënyrë demokratike.
Me konsensus në atë kohë, edhe pse ishte përfshirë shumë vonë në Thurjen si organizatë, u vendos që Endri Shabani të ishte kryetar i parë i partisë, ndërkohë u vendos që unë të isha Sekretar i Përgjithshëm. Ndërkohë që të gjithë ishim përqendruar në fushatë Endri Shabani e kishte mendjen si të linte vetëm veten në parti, për të administruar fondet që do vinin nga KQZ“.
Ai pretendon për falsifikime, vjedhje fondesh dhe largime anëtarësh, që sipas tij e kthyen Nismën Thurje “në Partinë njeriut të Vetëm”.
“Pas zgjedhjeve të vitit 2021 duke qenë se Nisma Thurje përfitoi rimbursim për çdo palë zgjedhje të shpenzimeve dhe një fond rreth 240 mijë Euro në 4 vite. Çdo akt i dorëzuar në gjykatë, para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2021, për shkarkime apo zgjedhje apo zgjatje mandati në forumet drejtuese në parti është falsifikuar pasi asnjëherë nuk është mbledhur kongresi dhe forume të tjera të partisë.
Sigurisht që pas zgjedhjeve u kujdes që të largoheshin dhe ata pak anëtarë që kishin ngelur, duke e kthyer Nisma Thurje nga shpresë për ndryshim në atë kohë, në Partinë njeriut të Vetëm. Të gjitha këto falsifikime dhe qëndrimi i tij në krye të partisë në kundërshtim me statutin sigurisht që janë bërë për të vjedhur 240 mijë Eurot e akorduara nga KZQ”.
Ai shkon më tej, kur e quan Shabanin ‘hajdut’, që po tenton të vjedhë mandatin e Adriatik Lapajt.
“Ndaj sot, nuk jam i habitur që ky hajdut kronik tenton të vjedhë mandatin e Adriatik Lapajt dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet duke shkelur mbi mundin dhe djersën jo vetëm të Adriatikut por të qindra dhe mijëra aktivistëve e mbi të gjitha mbi besimin e mbi 70 mijë votuesve. Hajdutët në politikë i kemi provuar, na dalin e teprojnë këta që kemi. Si shokët edhe Shabani do vejë në burg ku e ka vendin si hajdut e mashtrues”.
Koalicionit mes Lapajt dhe Shabanit i erdhi fundi. Kreu i “Shqipëria Bëhet” akuzoi drejtuesin në nismës Thurje, pasi kandidati, Zeqir Kordhoni, daja i Shabanit, refuzon t’i lërë vendin në parlament. Pas manovrave me emrat në listë fshihen përplasje të forta që kanë lidhje me mandatin e deputetit dhe garën në bashki zgjedhjet e ardhshme.
Top Channel