
Policia tajlandeze ka arrestuar një grua, e njohur me pseudonimin “Zonja Golf”, e cila akuzohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me të paktën nëntë murgj budistë, dhe më pas ka përdorur foto dhe video të akteve intime për t’i shantazhuar dhe për të marrë para prej tyre.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën, policia tha se dyshohet që ajo ka përfituar afërsisht 11.9 milionë dollarë gjatë tre viteve të fundit.
Gjatë një kontrolli në shtëpinë e saj, autoritetet gjetën mbi 80.000 foto dhe video të përdorura për shantazh ndaj murgjve.
Hetimet nisën në qershor, kur një abat në Bangkok braktisi papritur jetën murgërore, pasi ishte shantazhuar nga gruaja. Sipas policisë, ajo pretendoi se kishte mbetur shtatzënë pas një marrëdhënieje në maj 2024 dhe kërkoi mbështetje financiare prej mbi 7 milionë baht nga murgu.
Hetimet zbuluan se skema ishte e përsëritur me murgj të tjerë, të cilët gjithashtu kishin transferuar shuma të mëdha parash. Shumica e parave të përfituara dyshohet se janë përdorur për lojëra fati në internet.
Zonja Golf përballet me akuza për shantazh, pastrim parash dhe marrje të sendeve të vjedhura.
Policia tajlandeze ka hapur gjithashtu një linjë telefonike për të raportuar raste të sjelljeve të papërshtatshme nga ana e murgjve.
Top Channel