20 vite në UNESCO, në 2005 Gjirokastra u fut në listën e trashëgimisë botërore

16/07/2025 12:28

Gjirokastra shënoi 20 vjet që prej përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Qyteti u njoh në vitin 2005 për vlerat e tij të jashtëzakonshme universale, si një shembull i ruajtur i një qyteti me strukturë urbane tradicionale, banesa karakteristike prej guri dhe tradita të gjalla kulturore. 

Në aktivitetet kulturore që celebruan 20 vjetorin u theksuan si elementë kyç mjeshtëria në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e qytetit historik, roli i komunitetit vendas si edhe bashkëpunimi ndërkombëtar në mbrojtjen e trashëgimisë.

“15 korriku është një ditë e veçantë. Qyteti është tashmë një pasuri përbotshme. Gjirokastritët po rikthehen, po investojnë dhe po i japin jetë lagjeve historike. Vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 600 mijë vizitorë”, tha Flamur Golemi, kryetar i bashkisë së Gjirokastrws.

“Ne jemi shumë krenarë që festojmë 20 vjet në UNESCO. Unë, si pjesë e isopolifonisë, mendoj se e kemi mbajtur këtë trashëgimi gjallë”, u shpreh Roland Çenko, këngëtari i polifonisë.

“Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, falë njerëzve të saj. Ne kemi kontribuar në pasurimin arkitekturor dhe kulturor të qytetit përmes bashkëpunimeve”, tha Ambasadori italian në Shqipëri, Marko Alberti.

“Qyteti nuk u ndërtua nga arkitektë të jashtëm, por nga vetë banorët, në një kohë kur nuk kishte plane urbanistike, shtet apo ligje por mjeshtërit ndoqën me përpikëri parimet e harmonisë me natyrën dhe godinat u vendosën në harmoni me njëra-tjetrën”, u shpreh Odise Kote, prefekt i qarkut.

Në këto dy dekada, Gjirokastra është përballur me problematika që janë adresuar në mënyrë të pjesshme. Raportet e UNESCO-s kanë evidentuar ndër vite nevojën e planeve të qarta të menaxhimit, kanë tërhequr vëmendje për ndërtimet pa leje dhe projektet infrastrukturore me ndikim të mundshëm në zonën historike, siç ishte bypass-i në krah të kalasë.

Në vitin 2017, Gjirokastra doli nga lista e trashëgimisë së rrezikuar, pas vlerësimeve pozitive për restaurimin e pazarit historik, fasadave, kalldrëmeve dhe kontrollin më të mirë të ndërtimit në zonën e mbrojtur.

Një numër i konsiderueshëm banesash tradicionale janë restauruar nga pronarët dhe janë përshtatur për qëllime mikpritjeje. Sipas të dhënave nga sektori i monumenteve të kulturës, mbeten të rrezikuara edhe rreth 30 ndërtesa të tjera.

Aktualisht, qyteti vlerësohet për progresin në aspektin e mirëmbajtjes dhe kontrollit urban, por në raportin e fundit, UNESCO sërisht kërkon plane më të qarta për menaxhimin e turizmit dhe respektimin e Kartës së Venecias për restaurimin.

 

 

Top Channel