Tuma ilire e Kamenicës, gërmime në sitin arkeologjik ku ndodhen 400 varre nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit

15/07/2025 12:59

Tuma Ilire e Kamenicës një sit arkeologjik i rëndësishëm në rajonin e Korçës ka tërhequr vëmendjen e turistëve dhe studiuesve të huaj.

Një grup arkeologësh dhe filologësh nga Austria i janë drejtuar sitit ku gjenden mbi 400 varre që datojnë nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit si dhe objekte, stoli, armë dhe vegla që tregojnë shumë për jetën, zakonet, strukturat shoqërore dhe besimet e popullsisë ilire.

Për arkeologun Olsi Lafe, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve në vitin 2000, Tuma Ilire e Kamenicës ka rëndësi të jashtëzakonshme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike

Vizitorët austriakë e kanë konsideruar Tumën Ilire të Kamenicës si një destinacion me vlera të jashtëzakonshme

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë , Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen”, thotë një vizitore.

“Vij nga Viena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit. Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vemdet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj”, shprehet një vizitore tjetër.

“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu. Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, u shpreh një vizitor.

Tuma e Kamenicës, ndodhet vetëm pak kilometra larg Korçës dhe është ndër më të mëdhatë dhe më të ruajturat në Ballkan. Ajo përfaqëson një dëshmi të vyer të identitetit dhe trashëgimisë ilire në territorin shqiptar.

 

Top Channel